Tuesday, December 6, 2022
HomePolitikëTakimi Meta-Berisha në selinë blu/ PD dhe PL, bashkë kundër Ramës

Takimi Meta-Berisha në selinë blu/ PD dhe PL, bashkë kundër Ramës

-

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë zyrtarizuan dje bashkëpunimin mes tyre duke u dakordësuar për aksion të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore, zhvillimin e protestave mbarë popullore si dhe për iniciativa të përbashkëta në Parlament.

PD zbardhi takimin mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe kryedemokratit Sali Berisha paraditen e djeshme në selinë blu. Sipas asaj që bën të ditur zyra e shtypit të PD-së, në takim ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, dhe deputeti Petrit Vasili. Në takim njoftohet se u diskutua dhe u ra “plotësisht dakord për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore, iniciativat parlamentare” dhe në protestat kundër qeverisë.

“Sot (dje) në Selinë e Partisë Demokratike u zhvillua një takim mes Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta. Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Flamur Noka, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Petrit Vasili. Në takim u diskutua dhe u ra plotësisht dakord për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore, iniciativat parlamentare, në protestat popullore kundër pushtetit të Edi Ramës.  Takimi u karakterizua nga fryma e mirëkuptimit të plotë”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Ditën e hënë, kreu i PD-së konfirmoi se opozita do të formojë një koalicion me bazë të gjerë për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Berisha u shpreh se aleatët e PD-së, përveç Partisë së Lirisë, do të jenë edhe të tjera parti parlamentare e jo parlamentare. Sinjalet e krijimit të aleancës, PD e Rithemelimit dhe Partisë e Lirisë i dhanë që një ditë më parë, kur në parlament depozituan me firma të përbashkëta një kërkesë për mocion me debat me Entin Rregullator të Energjisë, për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike për fashën mbi 800 kilovat.

Lideri demokrat Sali Berisha akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama se lekët që BE-ja dha për rindërtimin, kreu i qeverisë i përdori për të blerë vota. Sipas tij, BE dha 1 miliard euro, por Rama u vërsul për t’i përdorur duke blerë vota. Berisha ishte dje në familjen e Martin Jakut në Fushë-Krujë, banesa e të cilit u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Prej afro 3 vitesh, ata thanë se shteti nuk i ka ndihmuar për të rindërtuar shtëpinë. Berisha u shpreh se ndërkohë që familja Jaku jeton në kasolle, Rama vendos të blejë një instalacion druri në Kryeministri me vlerë 4 milionë euro.

“Këta kanë harruar se ekziston qytetari, hallet e tij të përditshme. I kanë rritur çmimet në qiell. Nuk ka turp më të madh dhe gjë më të turpshme. Një shtet që e le punonjësen që e ka shkrirë jetën për banorët, e kanë lënë në çadër. Vetë Edi Rama merr avionin personal, 150 mijë euro udhëtimin dhe nuk do t’ia dijë. Ka blerë aty një instalacion, kuti druri, arkë mbi arkë, 4 mln euro, ndërsa ti fle në çadër. Pra, kur hajnia t’i verbon sytë dhe ta merr krejtësisht moralin, nuk të lë. Nuk të lë asgjë në shpirt”, deklaroi Berisha. Kreu demokrat përmendi se mundësitë kanë qenë të plota për të rindërtuar, por qeveria abuzoi me fondet e bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij me familjarët, Berisha ka hedhur akuza sërish drejt qeverisë, për të cilën deklaroi se nuk mendojnë për qytetarët.

“Urdhëro, ku është nevoja këtu. Në një kohë kur mundësitë kanë qenë të plota për të rindërtuar çdo banesë të dëmtuar sepse BE i dha fondet, vendet mike i ndihmuan shqiptarët, por këta u vërsulën si të pangopur në shpërdorimin, në abuzimin, në shpërdorimin, blerjen e votave. Vetë Edi Rama merr avionin personal në dispozicion, 150 mijë euro udhëtimi, kur shkon në Nju Jork i shkon edhe 300 mijë euro dhe nuk do të ja dijë. Blen për oborrin e brendshëm të kryeministrisë, ai thotë instilacion, por ato janë kuti druri, arkë mbi arkë, 4 milionë euro, kurse ti fle në çadër. Ai blen atë për të kënaqur sytë dhe xhepin, se ka nda dhe pare xhepi aty ai. Pra, kur hajnia t’i verbon sytë dhe ta merr krejtësisht moralin, nuk të lë asgjë në shpirt. Ia ka mbyllur Zoti sytë”, u shpreh lideri demokrat.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,599FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts