Në Tiranë po zhvillohet “Forumi Rajonal për Politikat Bujqësore” i cili këtë vit ka temën kryesore të diskutimeve kapërcimin e sfidave globale të cilat prekin vendet e Ballkanit Perëndimor.
Studiues të politikave ushqimore, profesorë të universiteteve të rajonit dhe politikbërës të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë në Tiranë përgjatë dy ditëve duke dalë në përfundim me disa propozime për shtetet e rajonit.
Shqipëria mban presidencën e grupit të përhershëm të punës për zhvillimin rural rajonal përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ministrja Frida Krifca ka mbajtur fjalën hapëse të punimeve duke kërkuar rekomandime konkrete nga ky forum lidhur me politikat publike ushqimore që vendet e rajonit duhet të ndërmarrin.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, solli në vëmendje të forumit edhe rastin e suksesshëm të iniciativës Open Balkan e cila shërbeu si zgjidhje për të mbajtur hapur tregjet dhe lehtësuar tregtinë mes vendeve të rajonit.
“Dokumenti final që do të realizohet nga mendimet, qendrimet dhe argumentet në këtë takim duhet të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve për rritjen e çmimeve si pasojë e luftës, në bllokimin dhe luhatjet e rrugëve të transportit të mallrave, në kostot jashtëzakonisht të rritura të inputeve bujqësore për prodhim, në mekanizmat e perqendruara të politikave bujqësore të shteteve tona, në politikat fiskale të duhura që duhen adoptuar për të lehtësuar prodhimin bujqësor, në parandalimin dhe përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.
Ky vit i vështirë, na rikonfirmoi se bashkëpunimi rajonal, nuk është më një opsion për vendet tona por domosdoshmëri për tu përballur me kushtet e vështira të tregjeve botërore.
Ministritë e bujqësisë së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë janë ulur së bashku me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.
Nisma Open Ballkan filloi të japë frytet e saj ku treguam konkretisht efektivitetin e marrëveshjeve tona duke mbajtur hapur tregjet për njëri tjetrin. Ofruam mbështetje dhe siguri në një kohë kur pasiguria ishte më e madhe se asnjëherë tjetër në të gjithë globin.
Bujqësia e së ardhmes është bujqësia e dijes dhe unë këtë e besoj plotësisht”, u shpreh ajo.