Pedagogët kanë lajmëruar se të hënën do të ketë sërish protestë kombëtare, duke theksuar se do të ketë bojkot deri në plotësimin e kërkesave.
Protesta është lajmëruar të nisë në orën 11:00 para Korpusit universitar në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Sot është dita e pestë e protestës së pedagogëve, të cilët kanë bojkotuar mësimin që në ditën e parë të nisjes së vitit akademik.
Që prej më shumë se një muaji Sindikata e Universiteteve përsëriti kërkesat për të kthyer dinjitetin e pedagogëve me dyfishimin e pagave dhe investimin në kërkimin shkencor edhe kushtet infrastrukturore.
Një ditë më parë u mbajt protesta e parë kombëtare nga pedagogët. Në mbështetje të lëvizjes së profesoratit ishin edhe studentët, të cilët shprehën gatishmërinë për të sakrifikuar mësimin në këmbim të cilësisë së diplomës.