Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa iu ka dalë sërish në mbrojtje pedagogëve pohoi se kësaj kategorie duhet t’i plotësohen të gjitha kërkesat.

Ai theksoi se Rilindja ka zgjedhur që të poshtërojë arsimin, ose ta patronazhojë.

“Do të ndalim shpopullimin e vendit. Një popull pa rini, është si familje pa fëmijë. Nuk ka shpresë, nuk ka projekte për të ardhmen, por më e mira, vetëm kujtime të së kaluarës. Jemi të vendosur që të bëjmë çdo sakrificë. Këtë e treguam shumë qartë, duke marrë dhe përvojat më të mira, të vendeve që janë pranë nesh. Ne me politika të qeverisë mund të transportojmë shoqërinë. Shqipëria është e fundit për çdo tregues të mirë në rajon dhe e para për çdo tregues negativ që tregon prapambetjen, korrupsionin e një qeverie dhe fakti që pedagogët tanë ende pas kaq javësh vazhdojnë denigrohen në mënyrë të ulët për kërkesa ordinere, që duhet të ishin plotësuar prej kohësh, tregon se nuk kemi të bëjmë me mungesë mundësish, por me një politikë të vetëdijshme për të nënvlerësuar pedagogët, intelektualët, çdo mendim kritik dhe përparimtar të shoqërisë, në mënyrë që të gjithë të jetojnë me frikë nga pushteti dhe nga projektet e tij për të intimiduar çdo njeri që ka mendim kundër. Arsimi është sektor që Rilindja ka zgjedhur për ta poshtëruar, patronazhuar. Jemi të sigurt se kjo politikë do të dështojë dhe se pedagogët, studentët, arsimtarët, prindërit e tyre do të jenë flakëndezëzit e parë të frymës për liri dhe dinjitet dhe për një Shqipëri si Europa. Në 2 vite pagat e tyre të jenë sa janë sot në Kosovë.”, tha Meta.