Saturday, January 28, 2023
HomePolitikëINSTAT konfirmon rritjen e varfërisë/ 623 mijë persona jetojnë nën kufirin e...

INSTAT konfirmon rritjen e varfërisë/ 623 mijë persona jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër

-

 

Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një rritje të relativisht të kënaqshme vitet e fundit dhe tkurrja e vendit gjatë pandemisë ishte shumë më e ulët sesa pritshmëritë, sërish kjo nuk ka ndikuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

INSTAT ka publikuar sot rezultatet e vitit 2021 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ), e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare. Nga anketa ka rezultuar se Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2021 është 22,0%, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2021 është vlerësuar me 191.791 lekë, në krahasim me 186.242 lekë që ishte në vitin 2020.Në vitin 2021 janë vlerësuar rreth 622.705 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 621.504 individë të vlerësuar në vitin 2020. Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është rritur me rreth 0.2%.

 

Shkalla e thelluar e privimit material tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material1. Ky tregues është vlerësuar 35,2% në vitin 2021, kundrejt 34,7% vlerësuar në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 0,5 pikë përqindje.

Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj).

Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim përcaktohen në kufirin 20%. Individët e e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2021 sipas vlerësimeve përbëjnë 12,4%, kundrejt 11,6% rezultuar në vitin 2020, duke pasqyruar një rritje prej 0,8 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2021, ky tregues është vlerësuar 43,9%, kundrejt 43,4% vlerësuar në vitin 2020.

Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.

Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021 është vlerësuar 39,0 % kundrejt 25,2 % që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në rritje vihet re në të tre grupmoshat, por një rritje më të madhe kanë grupmoshat 18-64 vjeç dhe 65 vjeç e lartë, ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021, në krahasim me vitin 2020, është rritur respektivisht me 0,2 pikë përqindje në të dy grupmoshat. Grupmosha 0–17 vjeç ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2021 me 0.1pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2021 ka shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 1,1 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rritje prej 0,1 pikë përqindje.

Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2021, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 12,8 % dhe 25,9 % e individëve. Familje me fëmijë në varsësi konsiderohen ato familje që kanë fëmijë të moshës nën 18 vjeç si dhe persona të moshës 18 deri 24 vjeç që jetojnë të paktën me një prind dhe janë ekonomikisht inaktiv. Një vit më parë këto përqindje ishin përkatësisht 13,1 % dhe 25,9 %

Ndër më të varfrat në Europë

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2021, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Europian tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Letoni (23,4%), Rumani (22,6%), Bullgaria (22,1%) ndjekur nga Shqipëria (22%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (8,6%), Finlandë (10,8%), Sllovenia (11,7%), Sllovakia (12,3%) dhe Danimarka (12,3%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (27 shtete) është 16,8 %.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,674FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts