Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka përmendur sakrificat dhe sfidat që kanë kaluar efektivët. Në fjalën e tij me rastin e 110-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u shpreh se punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit pasi kanë pajisjet e teknologjisë bashkëkohore që i bën më profesionistë.
Pjesë nga fjala e Rrumbullakut
Puna, sakrificat, sfidat me të cilat jemi përballur, arritjet edhe disfatat në ndonjë rast, së bashku kanë shkruar historinë që e themeluan paraardhësit tanë në vitin 1913 dhe e zhvilluan gjenerata të tëra, deri në ditët e sotme. 13 janari është një datë e artë, e shënjuar përjetësisht në historinë e Shqipërisë, në memorien e kombit dhe në memorien e çdo qytetari që ka ndërtuar jetën, familjen dhe pronën, nën hijen e shtetit amë.
Policia e Shtetit është një nga arteriet kryesore dhe më thelbësore të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar. Këtë rol, Policia e Shtetit e ka përfaqësuar e vijon ta përfaqësojë denjësisht, falë përkushtimit dhe sakrificës së mijëra burrave e grave, djemve e vajzave, të cilët brez pas brezi kanë dhënë më të mirën e tyre, për vendin dhe për shoqërinë.
Historia e shtetit shqiptar është e lidhur ngushtësisht me historinë e Policisë. Para pak kohësh, Shqipëria festoi 110-vjetorin e pavarësisë dhe sot është pikërisht Policia e Shtetit, institucioni i parë i formuar pas shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili kremton 110-vjetorin e themelimit të tij. Ky fakt nuk mund të jetë rastësor. Ky fakt tregon rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe luan ky institucion për vetë ekzistencën dhe sigurinë e shtetit shqiptar.
Familja e Policisë së Shtetit, fryma, vlera dhe kontributi i saj i japin dimensione të jashtëzakonshme dhe krejt të veçanta, Shqipërisë, kohës dhe misionit të Policisë së Shtetit.
Për të rinjtë tanë, për fëmijët e dëshmorëve tanë, për fëmijët që mbajnë për dore efektivët e Policisë Rrugore apo të Patrullës së Përgjithshme, mëngjeseve të shkollës, 110 vjet janë vështirë të imagjinueshëm, janë një pikë e pajetuar në kohë, e cila e bën Policinë e Shtetit, në sy të tyre, një testament të lashtë, një garanci me të cilën ata kanë lindur, një fakt përgjithmonë të mirëqenë, të cilin e kanë në nënvetëdijen e tyre kudo dhe kurdo.
Për veteranët e Policisë së Shtetit, për shumë e shumë të tjerë të cilët për dekada, kanë kryer detyra të ndryshme, në struktura të ndryshme, në qarqe të ndryshme, 110 vjet janë mijëra jetë, secila e rrezikuar përballë krimit, secila e sakrifikuar me orë larg familjarëve, secila e jetuar me qytetarët e komunitetit ku i ka thirrur misioni, secila e shenjuar me ngjarje, raste dhe njerëz me impakt për të tjerët dhe secila e gatshme për t’u jetuar e rijetuar sërish, si pjesë e Policisë së Shtetit.
Në çdo fragment të rrjedhës së historisë, Policia e Shtetit ka qenë burim sigurie dhe besimi për qytetarët dhe në emër të këtij ideali, janë sakrifikuar shumë nga radhët e saj. Martirët e Policisë së Shtetit kanë gjakun e tyre, në ngjyrën e flamurit kombëtar dhe ky është një motiv i fortë, pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për ta ruajtur të denjë simbolin e lartë kombëtar. Për Dëshmorët e Policisë së Shtetit, 110 vjet janë epitafe, çmimi i jetës së tyre, drita e prehjes që ndriçon kolegët në majat e thepisura, në shtratet e sipërfaqeve ujore, në rrugët e vendit dhe në skajet e tij.