Saturday, October 5, 2024
HomePolitikëNxitja e kthimit të të rinjve, Rama prezanton “modelet” e suksesit nga...

Nxitja e kthimit të të rinjve, Rama prezanton “modelet” e suksesit nga Amerika, Argjentina, Zvicra dhe Shqipëria

-

 

Në episodin 10-të të podcastit të tij, kryeministri Edi Rama kishte përzgjedhur të rinj vendas dhe të huaj të cilët janë kthyer në Shqipëri, ose e kanë zgjedhur vendin tonë për të ngritur të ardhmen e tyre.

Të rinjtë e përzgjedhur me stiul nga Rama vinin nga Amerika, Argjentina, Zvicra dhe Shqipëria.

Për shumë ja biseda e të rinjve me Ramën në studion kryeministrore:

Kryeministri Edi Rama: Amerika, Argjentina, Zvicra, Shqipëria rreth fushës për episodin e 10-të të podkastit “Flasim” ku sot kam të ftuar Ouen, nga Amerika. Flet shqip?

Ouen: Flas pak!

Kryeministri Edi Rama: Martin, nga Argjentina.  Flet shqip?

Martin: Jo, jo faleminderit!

Kryeministri Edi Rama:Të lutem. Musa nga Zvicra dhe Uarda që është shqiptare me pus dhe me carac kur i thonë, por pas shumë vitesh në Berlin është kthyer në Shqipëri. Këta janë katër nga shumë të tjerë që jetojnë, punojnë në Shqipëri, pavarësisht se vijnë nga vende të huaja, të afërta ose të largëta, të pasura ose edhe më të pasura, apo shqiptarë që janë rikthyer dhe që po vazhdojnë të rikthehen edhe pse dihet, numri i atyre që largohen, vazhdon, është më i lartë se numri i atyre që rikthehen, por ata që rikthehen, rikthehen me një histori, rikthehen me një eksperiencë dhe mbi të gjitha, rikthehen me arsye, të cilat janë vërtet interesante për t’u dëgjuar. Uarda po e filloj me ty. Ne mund të flasim pak shqip, këta kuptojnë, por s’flasin. Pse u ktheve në Shqipëri?

Uarda: Këto tre vite që kam në Shqipëri, më duket se një herë në javë, i përgjigjem kësaj pyetje.

Kryeministri Edi Rama: Se të tjerët të thonë po ç’t’u desh që u ktheve?

Uarda: Po, po, po. Madje në fillim jam ndier edhe shumë keq kur u ktheva, sepse jam ndier shumë e gjykuar. Ishte një lloj sjellje…

Kryeministri Edi Rama: Sikur kishe dështuar. Si “looser”.

Uarda: Po, që në fakt jeta ime në Berlin ishte shumë e mirë. Unë lashë pas familjen, shoqërinë, punën sepse kisha nevojë shumë për një vend të ri. Edhe kur vendosa ta lija Gjermaninë pas një cikli mbi 10 vjeçar, po mendoja vërtet Europën dhe e konsiderova me shumë naivitet vetëm vendet ku flisja gjuhën. Nuk kisha qejf, tani 30 vjeç, të filloja të mësoja gjuhën nga e para. Kështu që, Shqipëria ishte një nga vendet ku unë flisja gjuhën dhe Tirana pati një sharm që ishte kryeqytet, që ishte në Europë dhe që unë me biçikletë mund të shkoja kudo. Aq e thjeshtë sa mund të duket, për mua madhësia ishte shumë e rëndësishme në atë periudhë kur po merrja këtë vendim, dhe si shumë të tjerë erdha në fillim vetëm për ta provuar. Thashë ‘’Let’s see!’’. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Sepse unë në Tiranë nuk u riktheva, unë erdha. Nuk jam me origjinë nga Tirana, kështu që ika direkt për studime dhe nuk e njihja qytetin, fare.

Kryeministri Edi Rama: Ti ku ke lindur?

Uarda: Në Fier. Kështu që, ishte një xhungël në fillim siç është çdo qytet i ri kur nuk e njeh. Me avantazhin që flisja gjuhën, kuptoja dhe kulturën dhe nuk mu desh shumë për të kuptuar potencialin e Tiranës. Unë mendoj që nga vendimet më të mira që kam marrë, ka qenë vendimi për t’u kthyer, sepse jam shumë e qetë mendërisht. Nuk ta shpjegoj dot sa shumë dhe po bëj gjëra që në Gjermani, mbase nuk do i kisha bërë dot.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është e sigurt!

Kryeministri Edi Rama: Martin!

Martin: Buenos dias (mirëdita)

Kryeministri Edi Rama: Buenos dias. Pra, ç’te solli në Shqipëri?

Martin: Për t’i rënë historisë shkurt…

Kryeministri Edi Rama:  …dhe dukesh i lumtur.

Martin: Në fakt, jam.

Kryeministri Edi Rama: Përpara se të flasësh për Shqipërinë. Ti je argjentinas. Për çdo argjentinas kam një pyetje: Mesi apo Maradona?

Martin: Messi. Im atë zgjedh Maradonën, unë zgjedh Messin.

Kryeministri Edi Rama:  Unë jam me babanë tënd.

Martin: Mirë. Kam kaluar shumë. E lashë Argjentinën para pesë vjetësh dhe kam udhëtuar dhe, në fakt, një nga vendet e para që vajta të vizitoja ishte Shqipëria në vitin 2018. Ndenja dy muaj këtu, më duket, udhëtova nëpër vend dhe nga mund të them se është vendi më i bukur që kam vizituar se ishte krejt ndryshe nga të tjerët.

Kryeministri Edi Rama:  Në ç’kuptim?

Martin: Natyra, njerëzit… vetëm vajtja në dyqan për të blerë fruta e perime…

Kryeministri Edi Rama: Është shumë e ngjashme me Argjentinën apo jo?

Martin: Është diçka e njohur për mua, si një Buenos Aires i vogël mund të thuash, ku mund t’iu flasësh njerëzve.

Kryeministri Edi Rama: Kur isha në Sao Paulo në 1994  – shkova për një ekspozitë arti, në bienalen e Sao Paulos, një bienale e famshme dhe më ftuan  –  dhe nuk e besoja dot. Thashë kjo është një Tiranë e stërmadhe. Mora në telefon këtu kur isha atje dhe iu thashë: “Jam në një Tiranë të stërmadhe, në një Tiranë gjigande, me të gjithë kaosin e gjithçka të asaj kohe”. Po, dhe ishte shumë, shumë e ngjashme, taksistët njësoj; ato hyrjet e parkimeve për të bërë dyqane, me shkallë nën pjesën fundore të ndërtesave, ajo energji e pabesueshme dhe “La movida” e gjithçka tjetër. Tani është edhe më shumë.

Martin: Jemi pak a shumë njësoj. Unë nuk ndihem i huaj këtu. Është më shumë si një vend familjar, si një Buenos Aires i vogël, siç e thashë më parë, por mendoj, gjithashtu, se ndjenja e sigurisë që merr këtu, është shumë e rëndësishme për mua. Andej nga vij unë, sidomos në këto kohë, ti kurrë nuk e di ç’të ndodh kur del në rrugëve natën, për shembull. Pra, të ndjerit i sigurt, është ajo që më solli këtu.

Kryeministri Edi Rama:  Po, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë.

Martin: Dhe njerëzit kanë vërtet frikë të vijnë, ky është problemi. Ata thonë që ky është një vend i rrezikshëm. Ju e dini se çfarë thonë.

Kryeministri Edi Rama:  Po, ky është stereotipi, por po tejkalohet tani, sepse po vijnë gjithmonë e më shumë turistë

Martin: Kur vjen këtu, e sheh që është një vend komplet ndryshe.

Kryeministri Edi Rama: Më kujtohet, kur patëm revoltën e çmendur të 97-ës, kur njerëzit humbën paratë në disa skema piramidale, skema Ponzi, patëm shumë të vdekur, njerëz të çmendur me armë dhe një gazetar britanik i asaj kohe shkroi një artikull fantastik. Ai ishte gazetar lufte dhe shkroi se, “përpara se të nisesha për në Tiranë, në Shqipëri, bëra atë që bëj zakonisht kur shkoj në misione, përqafova gruan, përqafova fëmijët, se mund të ishte hera e fundit dhe kur mbërrita, kuptova një gjë të jashtëzakonshme që, duke qenë i huaj, isha i mirëpritur dhe trajtohesha si perëndi. Bandat nëpër barrikadat në rrugë më  mbronin” e kështu me radhë. Në fund, tha: “Megjithatë, po, më vodhën në Shqipëri. Më vodhën në hotelin austriak, ku më sollën një faturë telefoni që ishte një çmenduri, kështu që, kur të shkoni në Shqipëri, kini kujdes nga austriakët”. Ishte një mënyrë e këndshme për të bërë humor.

Kryeministri Edi Rama: Ouen, amerikani.

Ouen: Unë nuk jam ai djali më tipik për një amerikan. E kam kaluar pjesën më të madhe të jetës në Kinë.

Ouen: Po të hidhesha pak përpara në historinë e jetës, ndoshta, për të folur për atë që tha Martini lidhur me qëndrimin e njerëzve këtu. Kur je një njeri që kur takon të tjerët iu thua jam nga Shtetet e Bashkuara, në botë, shpesh nuk është se pritesh shumë ngrohtë prej kësaj dhe kjo është diçka me të cilën mësohesh dhe thua “e di, e di”. Ndaj, ishte intriguese të vije këtu e t’u thoje të gjithëve kur pyesnin: “Nga je?” “Nga Shtetet e Bashkuara.” “Ah, nga Amerika”, se kjo është fjala që përdorin njerëzit këtu dhe njerëzit thjesht tregoheshin entuziastë: “O, sa mirë!” Pastaj fillojnë të flasin për familjarë që kanë apo që e kanë vizituar. Kështu që, m’u desh pak sa të mësohesha me këtë. Por, po, jam rritur më së shumti në Kinë. U vendosa atje me familjen që kur isha 3 vjeç. Nëna ime ishte mësuese e Montessori-t, kështu që shkuan atje dhe punuan së pari në universitete dhe, më pas, si mësues në shkolla private, kështu që jam rritur duke lëvizur shumë. Çdo dy vjet jetonim në një qytet tjetër, ndaj u mësova të qëndroj në shumë vende.

Kryeministri Edi Rama: Zërat thonë se ti dëshiron të qëndrosh.

Ouen: Po, po. Mendoj se mësohesh me një mënyrë të caktuar jetese dhe kur kjo është ajo që njeh, vazhdon ta bësh.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë të pëlqen më shumë nga Shqipëria.

Ouen: Çfarë më pëlqen më shumë këtu. Mund t’ju them se ç’më ktheu, sepse në vitin 2021 kam qenë këtu për tre muaj dhe ajo që më solli sërish ishte…

Kryeministri Edi Rama:…  një histori dashurie?

Ouen: Jo, në një farë mënyre, në kuptimin që edhe miqësitë janë dashuri, por ka disa komunitete të vogla të mira këtu për gjërat që kam për zemër dhe që janë aktivitetet në natyrë. Për shembull, ngjitjet në shkëmbinj, ka edhe një palestër për këtë ngjitje në qytet, që quhet “Rock Tirana” dhe që është një vend vërtet i mirë, që drejtohet nga disa njerëz vërtet të mirë. Ata kanë punuar me grupe të huaja ngjitjeje, si dhe grupe vendase shqiptare, për ta zhvilluar ngjitjen si ekoturizëm të qëndrueshëm këtu. Pra, përfshirja me këtë komunitet, si dhe mundësia për të takuar Fluksin e të huajve dhe shqiptarëve me të njëjtat interesa dhe pasion për gjëra të ngjashme. Të gjithë ishin shumë të afrueshëm dhe ishte e lehtë të krijoje lidhje me njerëzit dhe kur krijon kujtime të mira në një vend, është shumë më e lehtë të kthehesh dhe ta përfytyrosh veten të qëndrosh për më gjatë.

Kryeministri Edi Rama:  Mousa është njeriu kryesor i kësaj ngjarjeje jashtëzakonisht të suksesshme më duhet të them, që, nëse nuk gaboj, e kam vizituar vitin e parë dhe, sërish, nëse nuk gaboj, atë kohë më the se kishte shumë potencial për t’u rritur. Nga ato që dëgjoj, këtë vit është nam, me 20 mijë veta që e kanë shijuar dhe e bukura është që një miku im më shkroi e më tha: “Dua të shkoj tek UNUM”. Ai është në Europë dhe nuk e ke idenë sa herë i kam kërkuar të vijë në Shqipëri. I thashë, hë tani, do vish në Shqipëri. “Jo – më tha, – do të shkoj tek UNUM.

Musa:  E sheh?

Kryeministri Edi Rama:  Uau

Musa: Kjo tregon se është një derë e hapur për njerëzit nga jashtë. Jemi shumë të lumtur këtë vit, sepse ka pasur njerëz nga Malajzia, Meksiko, Katari, nga kudo. Për mua, është ideja për t’u përpjekur e për ta hapur Shqipërinë për të gjithë, por çështja është se e kemi marrë tashmë në këtë rrugë. Nuk ka nevojë të nxitojmë. Njerëzit, në momentin që vijnë, të vetmin problem që kanë është të kthehen në vendin e tyre e të thonë: “Betohem në Zot që kanë energji elektrike”. Ja që, kështu është, por gjërat. Po ngadalë dhe i sigurt – me njerëzit që mund të shoh këtu në tryezë – po, vendi juaj është e ardhmja e Europës, është e sigurt. Për biznesin tim, po të doni, ka diçka me shumë, shumë interes. Njerëzit nuk dinë asgjë rreth kulturës suaj, rreth Ilirëve, asaj çfarë  keni qenë dhe çfarë do të jeni në të ardhmen. Personalisht, jam mjaft i prekur nga mikpritja juaj. Realiteti, mënyra si të shihni në sy, është moment i së vërtetës, njerëz të fjalës. Kjo është.

Kryeministri Edi Rama:  Ju keni kaluar shumë kohë këtu.

Musa: Edhe me familjen, dhe sa më shumë kaloj kohë, aq më të vështirë e kam të largohem nga vendi.

Kryeministri Edi Rama:  Po, Shqipëria të kthehet në varësi. Kam parë shumë njerëz, për shembull, të huaj me të cilët kam lidhje për hir të punës, ambasadorë, të cilët, ndoshta, kur kanë ardhur, nuk kanë qenë entuziastë, për ta thënë butë, por nuk kam parë asnjë të lumturohet kur largohet nga vendi. Sigurisht, janë shqiptarët që ende duan të largohen, të provojnë eksperienca të reja, por është e kuptueshme, është shumë e kuptueshme. Ky është një moment në histori, kur ka një mundësi që ne nuk e patëm për shumë vjet, por, në të njëjtën kohë, po dëgjoja Uardën dhe dëgjoj me kujdes njerëzit që kthehen. Më kujtohet edhe vetja, se edhe unë kam qenë emigrant dhe, e di, vjen një moment kur ke nevojë për këtë, ke nevojë për këtë atmosferë, ke nevojë për këtë ngrohtësi, madje edhe për mungesën e rregullave rigoroze të qarkullimit rrugor dhe ke nevojë edhe për ekspresin. Ku mund ta pish një ekspres në Berlin, më thuaj? Ku mund ta pish një kafe në Berlin, që të thuash “uau”.

Uarda: Nuk dua të të zhgënjej, por edhe në Berlin ka një kulturë të fortë kafeje.

Kryeministri Edi Rama:  E di, e di, po në Berlin nuk ka ekspres si këtu. Kam qenë jashtë, në disa vende, se jam një admirues i madh i ekspresit dhe jo, këtu kemi ekspresin më të mirë jashtë Romës, nuk ka dyshim. Pastaj, ja e keni ekspresin, po ku është muhabeti.

Uarda: Ka shumë gjëra që shërbehen bashkë me ekspresin këtu. Është e bukur kjo, se aktualisht drejtoj një bar-kafe dhe një hapësirë të përbashkët pune, pra kam nisur biznesin tim dhe Oueni dhe Martini punojnë te kafeneja, kështu që jam e sigurt se që të tre ne mund t’ju japim ekspresin e përkryer për të cilin e keni fjalën.

Kryeministri Edi Rama:  Jam i sigurt.  Jam i sigurt

Martin: Vetëm që të duhet të vish dhe të presësh në radhë.

Uarda: Se është me vetëshërbim

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo, unë gjithnjë mbaj radhën. Nuk më pëlqen të më mbajnë çantën, bagazhet, nuk më pëlqen të ulem në krye të tavolinës. Nuk më pëlqen asnjë nga ato gjëra që mund të më mungojnë kur të mos jem më në këtë punë, sepse më kujtohet që, dikur, shumë, shumë kohë më parë, pashë dikë në avion, dikë që ishte i pushtetshëm dhe që dukej… I thashë: “Mos e bëj zakon të shërbehesh nga njerëzit, sepse ditën që e gjitha kjo do të shkojë, do të ndihesh si humbësi më i madh, çka nuk është e vërtetë, kështu që, do të mbaj radhën.

Uarda: Shkëlqyer.

Kryeministri Edi Rama: Do të pres në radhë, mos u shqetëso. I vetmi vend ku kërkoj të rri në radhë, por nuk rri dot, është kur shkoj të votoj, sepse njerëzit thonë: “Jo, jo, se janë kamerat”.

Më trego një episod rreth Shqipërisë, një episod nga jeta jote, një moment kur ke thënë: “Sa mirë, ndihem kaq mirë!” Ose nëse nuk e ke një të tillë, më fol për një të keq, kur ndonjë është përpjekur të të vjedhë a ka kërkuar të të vrasë.

Martin: Asgjë s’ka ndodhur këtu, në fakt, por mund të them se një gjë shumë e mirë që ka ndodhur vitin e kaluar ishte që motra ime, e cila jeton në Suedi, erdhi të më takonte. Për shkak të COVID-it dhe gjithçkaje tjetër, nuk ishim parë për gati katër vjet, kështu që ishte një moment i rëndësishëm për mua. Ajo erdhi këtu për vizitë dhe ishte edhe për të hera e parë që vinte në Shqipëri. Kaloi 10 ditë këtu me të dashurin – edhe i dashuri është nga Argjentina. Ata nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për Shqipërinë dhe u befasuan vërtet, patën një lloj tronditjeje kur panë sesa e lehtë ishte gjithçka, sa e bukur ishte gjithçka, sa i mrekullueshëm ishte ushqimi këtu dhe vera po ashtu, se pimë edhe verë plot. Ishte verë, ndaj kaluam ditë të gjata në plazh, darka të gjata në mbrëmje, shpenzuam kohë me familjen dhe gjëja pozitive e gjithë kësaj historie që po tregoj ishte se u kthye në Suedi, ata u kthyen në Suedi dhe nisën të përhapin fjalën për Shqipërinë. Këtë vit dhe nuk tallem, çdo mik  e bashkëpunëtor ka ardhur në Shqipëri ose e kanë në plan të vijnë në Shqipëri kësaj vere. Kjo ishte një gjë shumë pozitive për mua.

Kryeministri Edi Rama:  Fantastike. E them gjithnjë, Shqipëria është një vend ku nuk duhet të shkosh kurrë, sepse është shumë i rrezikshëm, por, po shkove, dëshiron të kthehesh. Ndodh gjithnjë kështu me njerëzit që e vizitojnë Shqipërinë për herë të parë dhe jam shumë i lumtur që motra jote e ka shijuar

Martin: Po dhe gjithçka iu kujtonte kohën kur ishim fëmijë në Argjentinë, si fëmijët që luajnë në rrugë, nuk do them të moshuarit, por të rriturit që pinë kafe dhe ulen në mëngjes për tre orë duke pirë kafe. Na kthen pas te kujtimet e fëmijërisë dhe familjes sonë.

Kryeministri Edi Rama:  Duhet të jemi më shumë krenarë për këtë vend apo jo? Ouen, më trego një episod tëndin.

Ouen: Një episod të lumtur nga këtu?

Kryeministri Edi Rama:  Më trego edhe një të keq po deshe, jam i hapur

Ouen: Mua më pëlqen natyra, kështu që, sa herë që kam kohë pushim, përpiqem të iki jashtë qytetit, qoftë për një pasdite a mëngjes, apo për dy-tri ditë ose diçka e ngjashme. Kështu, shumica e kujtimeve vërtet të mira për mua këtu lidhen me daljen në natyrë. Ka natyrë të mrekullueshme këtu. Tirana është kryeqyteti dhe për një orë mund të gjesh një burim uji akull të ftohtë, mund ta gjesh veten në një pyll të bukur, mund të jesh në një plazh të mrekullueshëm, mund të jesh në një lumë apo kanion dhe të zbulosh një shpellë masive. Mundësitë janë gati të pafundme dhe kur del në natyrë, nuk është e mbingopur me ndërtime apo e mbipopulluar. Takon njerëz miqësorë, jashtë mase mikpritës dhe me këmbë në tokë, të cilët të ftojnë për një raki ose kafe, ose të japin fruta nga oborri i tyre dhe, po, po të zgjidhja një nga këto eksperience do të ishte të dilja jashtë qytetit dhe të shkoja për kamping, të notoja, të gatuaja vetë dhe të isha në paqe me gjithë bukurinë që të rrethon gjatë gjithë kohës këtu.

Kryeministri Edi Rama: Uarda ti erdhe nga Gjermania dhe sot ke një biznes tëndin. Tani shumëkush që na sheh na dëgjon mund të thotë “ kjo e ka në terezi prandaj na tregon ne sesa e bukur është Shqipëria por se di kjo se ç‘heqim ne”. Si e hape biznesin?

Uarda: Pyetja 1 milionë dollarëshe. Unë e kam pasur këtë idenë e biznesit në vete prej shumë kohësh. Në Berlin do ishte thjeshtë një tjetër kafe. Domethënë Berlini është i mbushur me propozime nga më të ndryshmet, nga më interesantet. Unë kam studiuar informatikë, kështu që komplet jashtë botës së banakut. Ndërkohë që, kur isha studente punoja në banak edhe madje dhe sot që është lokali unë 4-5 turne në javë i bëj akoma vetë, pavarësisht se është stafi, kam shumë qejf të punoj vetë në banak. Unë erdha në Tiranë, jo me këtë idenë fare, unë erdha në Tiranë për të punuar si IT. Edhe punoja si IT. Ishte pandemia në mes. Vendosa dhe gjatë pandemisë të qëndroj në Tiranë sepse mu duk e padrejtë, mu duk sikur sapo kisha ardhur dhe nuk i dhashë dot kohë qytetit ta njihja tamam dhe kur mbaroi pandemia ishte si një udhëkryq. Ose do bëj diçka të timen ose do iki! Kjo ishte ndjesia që kisha unë. Dhe një gjë të mirë që ka Shqipëria është që është shumë e lehtë të krijosh kontakte. Është shumë e lehtë të kërkosh ndihmë, kështu që unë fillova duke pyetur pak vërdallë. Unë kam këtë idenë, sa e vështirë është ta regjistrosh biznesin, si funksionon me NIPT-in. Fillova vërtete me zero dhe gjithçka ishte shumë e thjeshtë. Gjetja e hapësirës, gjetja e njerëzve pastaj më vonë. Nuk e di, mbase kam pasur dhe pak fat, por dhe kam punuar shumë. Kështu që në këtë moment tani unë mendoj që për gjithë njerëzit që jetojnë jashtë siç kam jetuar unë për shumë vite, siç jetojnë akoma prindërit e mi, motra ime është shumë e vështirë të rikthehesh sepse unë lashë Berlinin sikur po lija shtëpinë, me gjithçka që njihja, shoqërinë, njerëzit më të afërt, rutinën, përditshmërinë. Dhe më trembte pak Tirana sepse isha në një moment që prindërit e kishin lënë Tiranën me kujtimet e kohës kur ishin studentë, që nuk ka të bëjë fare me Tiranën sot. Mbaj mend kur i thashë babit që do filloj të jetoj në Shqipëri, ka qarë. Nuk ishte absurde, sepse më pa mua në një situatë të sikletshme, që “o bo bo”. Ndërsa tani s’ka më “Bo, bo”. Janë shumë të lumtur të vijnë të na vizitojnë, kanë një arsye më shumë tani për të ardhur në Shqipëri. Unë gjej gjithmonë një arsye për të qenë në Berlin patjetër, por që është akoma duke u zhvilluar Tirana të paktën dhe mendoj që ka akoma shumë potencial për ide të reja dhe pak ekstravagante biznesi. Kjo kafeja që kam unë nuk është dhe aq tipike, kam marr një copë Berlini dhe e kam sjellë.

Kryeministri Rama: Mirë shumë! Si e ka emrin kjo?

Uarda: HANA Corner Caffee.

Kryeministri Edi Rama: Hana Corner Coffee? Ku është? Ti bëjmë pak reklamë se kam sukses unë me reklamat që bëj, që ta dish.

Uarda: Nuk e vë në dyshim. Jemi tek shkolla Emin Duraku, direkt ngjitur me shkollën Emin Duraku në Bllok.

Kryeministri Edi Rama: Shkolla Emin Duraku, Hana Corner Coffee, keni atje një miks shqiptaro-amerikano-argjentinas me kulturë gjermane. Imagjinoni çfarë bëhet atje!

Kryeministri Edi Rama: Musa, si ndihesh tani që ka mbaruar? Duhet të jetë një ndjesi e çuditshme, pas gjithë asaj adrenaline që rritet, e rritet, e rritet me 20 mijë veta nga e gjithë bota dhe tani që ka mbaruar. Si është jeta jote tani? Merresh me gjëra të tjera apo ke nisur që tani të mendosh për atë që vjen apo…?

Musa: Siç mund ta shohësh nga sytë e mi, jam shumë i lodhur, por ishte diçka shumë e bukur. Në fakt, i vetmi mision që kam pasur është, ndjesë për termin, “të vjell” shpirtin luftarak të festivalit, sepse është shumë intensiv dhe, pasi ta kem bërë këtë, do të kaloj disa ditë në Shqipëri dhe do të pushoj, do pushoj, do ha mirë, do shkoj në plazh dhe do bëj gjëra që më bëjnë të ndihem normal. Pastaj, pas kësaj, do të kthehem në Zvicër. Kam nevojë të shoh fëmijët, për të paktën një javë.

Kryeministri Edi Rama: I pari kishte disa mijëra, nëse më kujtohet mirë.

Musa: I pari nuk kishte më shumë se 1500 veta.

Kryeministri Edi Rama:  …dhe tani jeni 20 mijë, kështu që sa potencial ende të pashfrytëzuar ka sa u përket numrave. Mund të rritet ende apo tani është përplot?

Musa: Jo, çështja është se mund shkojmë shumë e më shumë.

Musa: Ideja është të mos fillojmë të bëhemi pastaj, ndjesë për termin, si [festivali] Tomorroëland. Tomorroëland është bombë, po nuk është ky interesi ynë. Duam ta ruajmë si diçka më intime, sepse është një eksperiencë. Duam po kështu të bëjmë muzikë të qetë dhe disa aktivitete; duam të sjellim disa artistë që të bëjnë disa gjëra në fshat dhe duhet ta jetosh atë eksperiencë dhe nuk duam ta humbasim këtë ndjesi për klientët ose për njerëzit që do të vijnë.

Kryeministri Edi Rama:  Pra, duket se jeta shkon mirë për momentin. Çfarë vjen më pas? Cila është ëndrra e radhës apo ke mbaruar punë me ëndrrat?

Martin: Kam ëndërruar për një kohë të  gjatë

Kryeministri Edi Rama: Nuk ma merr mendja që i duhet kaq një argjentinasi për ta mbyllur me ëndrrat. Cila është ëndrra që ke tani? Çfarë dëshiron të bësh më pas?

Martin:Tani jam përqendruar te pjekja e ëmbëlsirave për Hana-n, kështu që nëse doni të vini ndonjë ditë…

Kryeministri Edi Rama: Do të vij

Martin: …mund të provoni një nga ëmbëlsirat e mia. Tani për tani, gjërat me radhë njëra pas tjetrës. Nuk dua të mendoj tani për një periudhë afatgjatë.

Kryeministri Edi Rama:  Mirë. Ouen, cila është ëndrra tani, për t’u ngjitur ku? Mund të kesh nevojë për male më të larta se ato që kemi ne

Ouen: Ka shumë male këtu,  kam prekur vetëm pak prej tyre.

Kryeministri Edi Rama:  Çfarë do bësh po të duash një mal më  të lartë?

Ouen: Do ta kthej malin në diçka abstrakte dhe, më pas, ta përfundoj. Tirana ka nevojë për një “Noodle Shop” (restorant makarona orizi).

Uarda: Nëse ai do ta nisë, do të jem e para që do investoj.

Ouen: Është diçka që, kur flasim për ëndrra, e shoh veten aty, kështu që, me gjasë, këtë do të zgjidhja.

Kryeministri Edi Rama:  Mirë, është ëndërr e bukur, është ëndërr e bukur dhe do bësh shumë njerëz të lumtur.

Ouen: Është egoiste në një farë mënyrë, sepse diçka për të cilën më merr malli shumë nga Kina është kultura e makaronave noodles dhe sa e larmishme është, sa e ndryshme është, pavarësisht se ku je në vend dhe sa e vështirë është t’i gjesh nëse nuk je në një vend ku ka një komunitet të madh, kinez, japonez apo korean. Pra, në raport me këtë, është egoiste, po mendoj që edhe të tjerët kanë nevojë për këtë.

Kryeministri Edi Rama:Tani mos më thuaj që këtu mbaron ajo përmasa e ambicies tënde se nuk e besoj.  Tani nuk e imagjinoj dot që do rrish aty edhe do vazhdosh.

Uarda: E di pse është pyetje shumë e vështirë? Sepse unë kam shumë, shumë kohë që i them vetes kam gjetur një balancë shumë të mirë dhe në tavolinë në këtë moment ka aq shumë projekte që janë aq të bukura dhe interesante për të krijuar  hapësira të reja, por në këtë moment kjo balanca që kam tani ë duket sikur është e padrejtë, ta thyej. Kështu që kam vendosur të pres shtatorin.

Kryeministri Edi Rama: Ah, dakord, s’po flas për. Ka me një fjalë?

Uarda: Po, ka. Tirana ka akoma hapësira shumë të bukura që mund të restaurohen. Edhe ndërtesa e Hanës është një vilë e vjetër kështu që këtë tipologji urbane, po them, kërkoj kështu që duke parë edhe qytete të tjera të Shqipërisë ndërkohë, sepse mendoj që kjo tipologjia e biznesit është e nevojshme dhe në vende të tjera. Në çdo vend që ka turistë, ne ishim një moment duke biseduar me stafin tek mbledhja e fundit dhe një në dy klientë që na vjen ne, është i huaj.

Domethënë në ketë moment është bërë edhe Hana patjetër një pikë e rëndësishme se përdorim më shumë qumësht bimor, ëmbëlsira vegane, patjetër që është një lloj magneti për turistët, por që ne na është rritur fluksi në një mënyrë të frikshme domethënë. Stafi është dyfishuar vetëm prej numrit të lartë të turistëve. Isha në Shkodër se bëmë një hiking dhe në Shkodër unë nuk prisja që të shikoja aq shumë turistë, ta them sinqerisht kështu që dhe një Hana në Shkodër isha kështu, kur shikoj ‘’jepet me qera’’ intrigohem pak, por le të shohim. Hana s’ka bërë akoma një vjeç.

Kryeministri Edi Rama:Tani Shkodrën e kemi në dritën e syve kështu që Hana në Shkodër është lajm i mirë.

Shumë faleminderit! Këta ishin refugjatët e lumtur dhe unë jam realisht shumë i frymëzuar sa herë që jeta më sjell pranë njerëzve si Uarda, si Martin, si Ouen, si Musa të cilët kanë brenda atë dhuratën e “joy of life” dhe kanë gjetur në Shqipëri vendin ku “dhurata” e tyre mund të shumëfishohet.

Faleminderit!

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts