Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi efektivët dhe strukturat e mbrojtjes civile shqiptare përfunduan misionin për ndihmuar Greqinë në shuarjen e zjarreve. Rama thotë se u kthen në atdhe me ndjenjën e krenarisë për kontributin e tyre në ndihmë të popullit mik.
“Efektivët shqiptarë përfundojnë me sukses misionin në Greqinë e goditur nga zjarret masive. Trupa të specializuara të emergjencave civile dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencave të bashkive të Korçës dhe Maliqit, u angazhuan në operacionet e ndihmës për shuarjen e zjarreve dhe kthehen në atdhe me detyrën të kryer, e me ndjenjën e krenarisë për kontributin e tyre në ndihmë të popullit mik grek në një moment të vështirë”, shkruan Rama.
Fillimisht Greqia e refuzoi ndihmën, me pretendimin se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera, por në një njoftim të dytë pala greke lajmëronte se ka pranuar trupat e emergjencave civile shqiptare.