Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij shtetërore në Kazakistan, zhvilloi një takim me Kryetarin e Senatit të Republikës së Kazakistanit, Maulen Ashimbayev.

Presidenti Begaj dhe z. Ashimbayev folën për rëndësinë që kanë marrëdhëniet parlamentare në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.

Sipas Presidentit Begaj, ngritja e gamës së shkëmbimeve midis dy parlamenteve do të mundësonte të dy vendet të thellonin edhe më tej bashkëpunimin në fushat me interes të ndërsjellë.

Ndër të tjera, Presidenti Begaj theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit.

“Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve. Një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev. Interes tjetër të veçantë pati në drejtim të vendosjes së një linje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet Kazakistanit dhe Tiranës, e cila do t’i shërbejë turizmit.”, u shpreh ai.