Sunday, July 14, 2024
HomePolitikëMinistrja Manastirliu: Së bashku çuam përpara reforma e punë konkrete për fuqizimin...

Ministrja Manastirliu: Së bashku çuam përpara reforma e punë konkrete për fuqizimin e sistemit shëndetësor

-

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e emëruar në postin e ministres së Arsimit dhe Sportit, falenderoi ekipin e mjekëve e infermierëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën dhe përpjekjen për të fuqizuar shëndetësinë.

Ogerta Manastirliu shkroi në rrjetet sociale:

Sot, në përfundimin e këtij rrugëtimi sfidues prej një dekade, në drejtimin e QSUT dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dua t’i shpreh mirënjohjen çdo bashkëpunëtori, për përpjekjen e përkorëshme për të fuqizuar dhe ndërtuar shëndetësinë e të sotmes, e hedhur bazat për të nesërmen, me synim arritjen e mbulimit shëndetësor universal, me bindjen se plot punë janë bërë, por ende shumë mbetet për t’u realizuar”.

Drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka qenë për mua një privilegj, të cilin e kam konsideruar pjesë të një misioni historik për Shqipërinë që duam dhe jam përpjekur ta kryej me përgjegjësinë më të madhe, në shërbim të qytetarëve dhe punës së përbashkët për forcimin e sistemit tonë shëndetësor dhe social.

Faleminderit nga zemra ekipit të mjekëve e infermierëve, kujdestarëve e profesionistëve të kujdesit shoqëror, punonjësve mbështetës në çdo strukturë shërbimi, për bashkëpunimin në këto vite

Së bashku çuam përpara reforma e punë konkrete për fuqizimin e sistemit shëndetësor e social, një sistem, i cili sot është më i fortë se dje.

Me shërbimet e kujdesit parësor me mbi 340 qendra shëndetësore të rindërtuara nga veriu në jug, me shërbime të reja të kujdesit në banesë për ata më në nevojë, me kalendar të zgjeruar të vaksinimit në mbrojtje të shëndetit të popullatës, me 311 spitale e qendra shëndetësore të akredituara, me inovacionin e sjellë nga sistemet elektronike, me mbi 20 spitale dhe shërbime mjekësore të ndërtuara, rehabilituara dhe pajisura, dhe mbi 15 kantiere të hapura dhe projekte të reja në zhvillim.

Me modernizimin e QSUT nga ndërtimi i Spitalit të ri Qendror, veprës më të madhe në këto vite, Spitalit të Pediatrisë, Spitalit të Kirurgjisë dhe Spitalit Infektiv, Spitalit të Laçit, ndërtimin e Materniteteteve të reja të Lezhes, Beratit e Kukësit, Durrësit e Elbasanit, poliklinikave të Vlorës e Lushnjës, kantieret në vijim të Materniteteve “Mbretëresha Geraldinë” e “Koço Gliozheni”, deri tek kantieret e sapohapura në QSUT në Spitalin e Kardiokirurgjisë dhe spitalin ditor, spitalet e Lezhës dhe Krujës, poliklinikat e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit.

Me flotën e re dhe të zgjeruar të aparaturave bio-mjekësore të shtrirë në të gjithë territorin, në spitale e poliklinika, me një mbulim të gjerë në llojshmëri terapish mjekimi të rimbursueshme nga sëmundjet kardiake, diabeti, hipertensive, onkologjike etj, me një shërbim kombëtar të urgjencës paramjekësore të shpejtë e efikas.

Me reformën e nisur të autonomisë spitalore, që do të sigurojë optimizimin e burimeve njerëzore e financiare dhe do të mundësojë, shpërblime në bazë performance dhe rritje të aftësive të stafeve tona.

Me më shume se 1260 mjekë e 6100 infermierë të punësuar me transparencë e meritokraci dhe personel shëndetësor më të vlerësuar e të motivuar, falë kushteve të përmirësuara të punës dhe mbështetjes historike të pagave

Gjithashtu me një sistem mbrojtje sociale që mbështet më shumë individët e familjet më në nevojë e personat me aftësi ndryshe, dhe që disponon më shumë programe sociale për zbutjen e varfërisë, riintegrimin dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.

Manastirliu falenderoi nga zemra ekipin e MSHMS dhe të gjithë bashkëpunëtorët.

“Ju keni qenë forca shtytëse në këtë rrugëtim të mbushur me emocione të forta njerëzore, me jetë për t’u shpëtuar, me njerëz për t’u ndihmuar, me pengesa për t’u kapërcyer e sfida të paprecedenta për t’u adresuar – nga tërmeti tek pandemia – dhe që prej investimeve sistemike të kryera, reagimit të shpejtë, profesionalizmit të lartë të ekipeve tona mjekësore dhe koordinimit në çdo hallkë të shërbimit shëndetësor, nuk u gjunjëzuam.

Falë çdo pjesëtari të ekipit tonë, arritëm të shohim mundësi në çdo vështirësi dhe guxuam të ecnim së bashku në rrugë të reja, me synimin për të përmirësuar çdo pjesë të sistemit shëndetësor e social dhe duke patur besimin e palëkundur që puna dhe vetëm puna do sillte ndryshimin aq shumë të dëshiruar nga secili prej nesh.

Ndihem mirë, vijoi ajo, që erdhi momenti, kur fokusi i projekteve tona është zhvendosur nga të siguruarit e kushteve e medikamenteve bazë, tek modernizimi, teknologjia e avancuar, shtrirja e digjitalizimit dhe deri tek inteligjenca artificiale apo përgatitja e sistemit për të përthithur inovacionin.
“Sot më shumë se kurrë, jam e bindur se Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale ka hyrë në një fazë, ku ritmi duhet të jetë më i shpejtë, vendosmëria e më e madhe, cilësia edhe më e lartë, për të vijuar ngjitjen drejt majës së re, ndaj suksese dhe forca Albanës në këtë detyrë.
Faleminderit Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, për besimin dhe gjithë mbështetjen, për të çuar përpara këtë sektor jetik dhe për të jetësuar angazhimet e marra para qytetarëve, në programin tonë politik drejt Shqipërisë 2030. Në fund dua të them se asnjë punë nuk bëhet dot mirë, nëse nuk ke mbështetjen e familjes, besimin e shokëve dhe respektin e njerëzve! Shpresoj t’jua kthej në çdo ditë timen”.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts