Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.
Balla theksoi në një reagim se i shprehu ambasadores Peleg solidaritetin e Shqipërisë me popullin e Izraelit, ndërsa vijojnë sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit.
“Shqipëria përmes Kryeministrit Edi Rama i dënoi ashpër këto sulme terroriste dhe mban një qëndrim të fortë kundër terrorizmit”, nënvizoi Balla.
“Mendimet dhe lutjet tona sot janë për viktimat e këtij sulmi të pabesë, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, u shpreh Balla në reagim.
Ushtria izraelite ka shpallur gjendjen e luftës pas sulmeve masive sot në mëngjes ndaj Izraelit nga Rripi palestinez i Gazës.
Organizata militante Hamas nisi sulmet me qindra raketa dhe me infiltrimin e luftëtarëve të armatosur nga Rripi i Gazës në Izrael. Izraeli është kundërpërgjigjur dhe ka bombarduar Gazën.