Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot të ngarkuarin e përkohshëm me punë të Ambasadës së SHBA, David Wisner, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri. Nikolla vuri në dukje se SHBA janë partner strategjik dhe mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeparlamentarja Nikolla dhe i Ngarkuari me Punë David Wisner biseduan për prioritetet e sesionit të ri parlamentar dhe bashkëpunimin për konsolidimin e demokracisë, thellimin e avancimin e reformave dhe ishin të një mendimi se qeverisja e përmirësuar dhe avancimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për integrimin dhe kontributin e Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike.
Më njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë, thuhet se takimi u zhvillua për të diskutuar fillimin e sezonit të ri parlamentar, si dhe për të ripohuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet demokratike të Shqipërisë.
“Ata ranë dakord që qeverisja e përmirësuar, veçanërisht në lidhje me reformën në drejtësi është thelbësore në përpjekjet e Shqipërisë për të pasur sukses brenda bashkësisë euroatlantike”, thuhet në njoftim.