Me finalizimin e operacionit “Exit” policia e Shkodres ka arritur të zbardhë ngjarjen e 26 shtatorit në Velipojë ku u qëllua me armë zjarri ndaj një furgoni. Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi dy vëllezërit, Edmond dhe Kristian Vushmaqi 27 dhe 24 vjeç. Sipas uniformave blu dy vëllezërit janë autorët e ngjarjes në fshatin Mali Kolaj në Velipojë, ku qëlluan me armë zjarri në drejtim të një furgoni ku ndodhej shtetasi K.M, 42 vjeç. Dy vëllezërit u kapën mëngjesin e se premtes në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe në banesën e një të afërmi të tyre. Ngjarja në bazë të hetimeve policore ka ndodhur për motive të dobëta, pasi edhe më herët mes tyre palët kishin patur konflikte. Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pas një grindjeje që palët kanë patur për një femër dhe mbrëmjen e 26 shtatorit Kanto Vushmaqi me dy djemtë e tij tashmë të arrestuar i zunë pritë furgonit pranë gurorës së Mal Kolaj duke qëlluar disa herë në drejtim të tij me breshëri automatiku. Fatmirësisht nuk pati të lënduar pasi të favorizuar nga errësira drejtuesi mjetit u largua menjëherë duke u fshehur në zonën e pyllëzuar. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave” e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake dhe armëve të gjahut”.