Aksioni i radhës i policisë së Shkodres në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike u zhvillua në fshatin Vilë të bashkisë Vau Dejës, ku u asgjesuan 415 bimë narkotike të kultivuara në 3 parcela dhe u sekuestrua si provë materiale edhe një armë zjarri automatik model 56. Gjithashtu nga shërbimet e policisë u arrestua në flagrancë shtetasi Ndue Marku 53 vjeç nga Vila, pasi pikërisht gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së tij , u konstatuan 3 parcelat e kultivuara me 415 bimë narkotike të llojit cannabis – sattiva të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Materialet proçeduriale i’u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Shkodres dy shtetas humbën jetën, ndonëse në rrethana krejt të kundërta. Në Kelmend të Malësisë së Madhe gjeti vdekjen 56 vjeçari Lekë Volaj i cili po tentonte të rregullonte dritat kur ra në kontakt me rrymën elektrike. Ai kishte hipur në shtyllën elektrike me inisiativën e tij për të bërë ndërhyrje në rrjet pasi kishte probleme me dritat dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Grupi hetimor në vendngjarje ka kryer verifikimet, ndërsa trupi i pajetë u dërgua në morgun e spitalit të Shkodres për ekspertizë, e më pas ju dorëzua familjarëve. Ndërsa në Velipojë një tjetër pushues humbi jetën nga mbytja në det. Ngjarja ndodhi në zonën e Rrjollit, ku shtetasi Vebi Dini, 74 vjeç banues në Dobraç, ishte nxjerrë nga pushuesit prej deti ne gjendje kritike. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë mjekësore, si dhe është transportuar per në spital, por rrugës ka ndërruar jetë. Nga kqyrja e kufomes nuk ka shenja të dukshme dhune thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu në Malësi të madhe u arrestua edhe një 34 vjeçar me akuzën dhunë në familje. Në pranga ra Miro Sufaj pasi ushtronte dhunë fizike ndaj bashkëshortes B. Sufaj 24 vjeçe duke i shkaktuar demtime fizike.