Klubi i futbollit Vllaznia do t’i nënshtrohet një analize të hollësishme të katër viteve të fundit. Bëhet fjalë për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017, të cilët do të jenë objekt i diskutimit në Asamblenë e Shoqërisë Aksionere, e cila sipas informacionit të shpërndarë zyrtarisht për mediat nga vetë klubi i futbollit Vllaznia do të zhvillohet me datë 30 mars. Sipas njoftimit në fjalë, thirrja e kësaj asambleje është bërë nga ana ana e administratorit të saj, Astrit Gjyrezi, bazuar në një rregullore që i përket vitit 2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Krahas njoftimit në media, drejtuesit e klubit kanë bërë edhe njoftimet përkatëse dhe njëkohësisht edhe dërgimin e materialeve të kësaj Asambleje për të gjithë këshilltarët Bashkiakë, që siç dihet, janë edhe anëtarët e Asamblesë. Nga sa bëhet e ditur mbledhja e Asamblesë së shoqërisë aksionere “Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a.”, është një mbledhja e zakonshme e kësaj Asambleje dhe që do të ketë këtë rend dite pika të ndryshme të rendit të ditës, të cilat kanë në thelb të tyre kryesisht aktivitetin e financiar të periudhës së viteve të fundit. Konkretisht, është miratimi i pasqyrave financiare të shoqërisë, që nga viti 2014 e në vazhdim dhe emërimin e ekspertit kontabël të autorizuar dhe miratimin e skemës së shpërblimit. Gjithashtu, në vijim do të diskutohet edhe për miratimin e projekt-statutit të shoqërisë KF Vllaznia sh.a, miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të shoqërisë, miratimin e tarifave për nxënësit e Akademisë së KF Vllaznia sh.a, miratimi i projekt- buxhetit të shoqërisë për vitin 2017, etj. Një analizë e tillë, e cila ka rreth katër vite që nuk zhvillohet pritet t’i shërbejë strukturave të klubit kuqeblu, por edhe atyre të bashkisë Shkodër për riparimin e ndonjë defekti të konstatuar gjatë viteve të kaluara, gjë cila do të çojë patjetër në një përmirësim akoma edhe më të mirë të punës në vazhdim.