Jo vetem që është një Vllaznia-Partizani që tradicionalisht ka tërhequr vemendjen e opinionit sportiv, por më së shumti edhe nga rrethanat në të cilat po përgatitet kjo sfidë pritet të jetë padyshim dueli më i rëndësishëm i javës së 29-të të Superliges së futbollit shqiptar. Është lënë mbrëmja e së dieles në orën 19.00 që të luhet kjo ndeshje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, por përpara se të mbërrijnë deri atje në kampet respektive janë kryer përgatitjet e duhura për këtë përballje.
Cungu flet edhe për presionin që skuadra ka pasur gjatë këtyre ditëve, më saktë që pas përfundimit të ndeshjes Kukësi-Vllaznia kur kanë shpërthyer akuzat për një aleance të kuqebluve me Partizanin. Për Shkodranët kërkohen 3 pikët në këtë ndeshje që të mbyllen “gojët e liga”.
Formacioni i kuqebluve për këtë ndeshje pritet të jetë me shumë mungesa. Përpos dyshes, Vrapi – Bakaj, të cilët janë të skualifikuar me kartonë, mungon edhe Ardit Krymi i dëmtuar që në ndeshjen me Tiranen. Një tjetër mungesë është edhe ajo e Florind Bardullës, ndërkohë nëse i shtojmë edhe dyshen tjetër të dëmtuar prej javësh, mesfushorin Ambroz Kapaklia dhe mbrojtësin Antonio Marku, numri i tyre për këtë ndeshje shkon në gjashtë.
Mbrëmjen e së dieles në lojë nga minuta e parë pritet të jenë, portjeri Selimaj, në mbrojtje Gurishta nga e djathta, Pjeshka dhe Bicaj në qëndër dhe kapiteni Shtubina të cilit i është dashur të kthehet pas tek roli i mbrojtësit të majtë. Në mesfushë si shkatërrues, qëndron përsëri Gocaj, i cili do të ketë në krahë Krujën dhe Tafilin, ndërsa përpara do të luajnë Çinari dhe Kalaja, ndërkohë që në majë pritet të luajë nga minuta e parë Rubin Hebaj.