Vllaznia mbyll të premten përgatitjet në kampingun sportiv të Ulqinit aty ku ka qënë e sistemuar që prej ditës së martë. Një grumbullim ky që duket se kuqebluve i ka shërbyer për mire, jo vetem në aspektin e anës teknike e taktike si dhe fizike, por më tepër në drejtim të asaj moralo-psikologjike, për të cilen skuadra kishte nevojë më tepër se kurrë për një gjë të tillë.
Në mbështetje të skuadrës kuqeblu në përgatitoret ulqinake është parë të jetë të enjten edhe një përfaqësi e zgjeruar që kishte udhëtuar posaçërisht nga Shkodra, jo vetem për të ndjekur nga afër seancen stervitore, por edhe për t’i dhënë moralin e duhur futbollistëve në prag të kësaj ndeshje jashtë mase të vështirë dhe të rëndësishme, siç është kjo e së shtunës mes Vllaznisë dhe Tiranes që përcakon se cila skuadër do të largohet nga kategoria superiore. Nga sa bëhet e ditur, në pritje të kësaj ndeshje Vllaznia do të zhvillojë edhe një seance të fundit stervitore, e cila është planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”.