Ish -aleati në qeverisje me PS-në, Ilir Meta shpërthen në akuza të rënda ndaj policisë.
Presidenti i zgjedhur thotë se segmente të policisë që kanë përgjegjësi për nxitjen e prodhimit dhe trafikut të drogës kanë marrë përdetyrë të cënojnë zgjedhjet.
Thirrjen e kryeministrit Rama drejtuar policisë dje nga një fushatë në Kuçovë, Meta e quajti ” një thirrje prakitikisht e hapur e përdorimit të policisë në zgjedhje.”
Një veprim që sipas tij nuk ka ndodhur as në kohën e Berishës
Ilir Meta: “Është një thirrje prakitikisht e hapur e përdorimit të policisë në zgjedhje. Unë e kam bërë të qartë që më përpara se është e qartë se segmente të policisë që kanë përgjegjësi për nxitjen e prodhimit dhe trafikut të drogës kanë marrë përdetyrë të cënojnë zgjedhjet me veprimet e paligjshme ose mos veprimet e tyre në zbatim të ligjit. Kjo është shumë e qartë.
Meta e quajti ‘ të paligjshme dhe tërësisht të papërgjegjshme” deklaratën e Ramës si dhe dënoi heshtjen e drejtorit të policisë së Shtetit Haki Çako duke shtuar ‘nuk më habit aspak”.
Meta: Mjafton njolla e droges, s’i duhet ajo e zgjedhjeve
Meta tha se kishte komunikuar sot me ministrin e Brendshëm, teknik, Dritan Demiraj, për të përshëndetur qëndrimin e tij ndaj deklaratës së Ramës dhe si president i zgjedhur dhe kryetar kuvendi do të kontaktonte me drejtuesit e policisë për ti kujtuar detyrën. Këtu përjashtim do të bënte Haki Çako.
Ilir Meta: ‘I kam bërë të qatë, që edhe si kryetar Kuvendi, edhe si president i zgjedhur do të komunikoj me të gjithë drejtuesit e policisë, përveç drejtorit të përgjithshëm të policisë, për tu kërkuar zbatimin e ligjit ndaj çdo krimineli e vagabondi që jo vetëm bën presione kriminale por dhe që do të tentojë të blejë vota e të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Policisë i mjafton njolla e drogës. Nuk i duhet njolla e zgjedhjeve të prishura, sepse nuk mund ti prishë askush zgjedhjet në Shqipëri.”
Ndjesa e Ramës?
Ndjesën që sot Rama bëri, Meta e komentoi: ” Nuk është cështje ndjese. Është e qartë që rruga që ka zgjedhur është ajo e presionit, dhe e keqpërdorimit të administratës. Shikoni autobusët në administratë që shkojnë në mitingje për të kuptuar çfarë po ndodh. Kjo është çështje e tij. Unë thashë çfarë dë të bëj unë si kryetar kuvendi dhe president i ardhshëm”
Po pse nuk do flasë me Haki Çakon?
“Sepse është e qartë që vetëm detyrën e zbatimit të ligjit nuk e ka patur, dhe nuk e ka. Jam i bindur që në polici shumica e atyre duan të vazhdojnë punën dhe në datë 26 qershor dhe në të ardhmen”
Jam i bindur se në polici, shumica duan të zhvillojnë karrierën e tyre dhe nuk kanë arsye pse të kenë detyrime as ndaj politikanëve duke i keqpërdorur, as ndaj trafikantëve e banditëve” tha Meta.
Akuzat e lidhjes se policise me krimin ne Lezhe, Shkoder, Berat
Meta akuzoi për lidhje të politikës e policisë me krimin e bandat.
“Është e qartë që ka një lidhje të tillë, e kemi këtë lidhje në Lezhë, ku kemi disa ngjarje të përsëritura. E kemi këtë lidhje në Berat. E kemi këtë lidhje dhe në Shkodër e zona të tjera”
Çdo shef komisariati, përgjegjës policie do të jetë përgjegjës jo vetëm për shkeljen e ligjit për të cilën do të dënohet nga 1- 5 vjet burg por dhe për mos veprim në mungesë të zbatimit të ligjit, favorizim të grupeve kriminale që tentojnë të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve, përsëri do të mbajnë përgjegjësi”