Thursday, April 18, 2024
HomePolitikëKryemadhi në krye të LSI: Na falni për bashkëqeverisjen me PS

Kryemadhi në krye të LSI: Na falni për bashkëqeverisjen me PS

-

 

Monika Kryemadhi, prej së mërkurës, është kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me një votim unanim, Zonja e Parë, zuri vendin e lënë vakant nga Petrit Vasili.

Në fjalën e saj përpara delegatëve të Konventës së LSI-së, Kryemadhi theksoi se ata do të jenë opozita e vërtetë.

“Kemi një punë të madhe përpara për rezistencën pasive të shumicës së shqiptarëve në një shumicë aktive dhe të guximshme që flet, denoncon, proteston, del hapur në rrugët dhe në sheshet e Shqipërisë. Ne do të jemi ata që do të çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe të shitblerjes së votave”, tha Kryemadhi.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e Ilir Metës, i cili pas 12 vitesh nga krijimi i LSI-së, nuk merr pjesë në një aktivitet politik.

Duket se Presidenti i Zgjedhur, ka reflektuar pas thirrjes së Kryeministrit Rama për të ridimensionuar rolin e Presidentit, pas një fushate 30 ditore me gjuhë tejet të ashpër ndaj Partisë Socialiste.

Por pavarësisht se Meta nuk ishte i pranishëm, bashkëshortja e tij, nuk harroi që ta falënderonte.

“Dua të falenderoj Ilir Metën që na dha mundësinë që krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, krijoi një forcë politike, që në themelin e saj ka bazat e socialdemokracisë, në themelin e saj ka solidaritetin”, u shpreh Monika Kryemadhi.

Por edhe pse LSI-ja bashkëqeverisi për 4 vite me Partinë Socialiste, Kryemadhi kërkoi falje për gabimet e bëra.

“Sot përpara jush dua të kërkoj falje edhe për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me “Rilindjen” e Edi Ramës. Ne nuk folëm hapur dhe qartë qëkur nisëm të konstatonim që po keq-qeveriseshin. Këtë e bëmë edhe në emër të fjalës së dhënë, për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur së bashku me socialistët. Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fortë”, tha kryetarja e LSI-së.

Në Konventën e jashtëzakonshme të LSI-së u votua dhe zëvendëskryetari i ri, Luan Rama dhe nënkryetarja, Erisa Xhixho.

Vasili: Ne do të jemi opozita e vërtetë

Në fjalën e tij në këtë event, kryetari i deritanishëm Petrit Vasili ka falenderuar ata qytetarë shqiptarë që votuan LSI-në dhe i thanë jo asaj që e ka quajtur “Shqipëria e drogës”.

“25 mijë shqiptarë votuan për Shqipërinë demokratike, jo Shqipërinë e drogës, jo për oligarkët, jo për një opozitë që flirton me pushtetin prapa perdes”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, “vendin e ka pushtuar pseudodemokracia që çon në zero çdo shans për të ardhmen dhe që me paratë e krimit tenton të blejë lirinë”.

“Këto vota janë themeli i një betoni të një opozite të vërtetë. LSI do të jetë muri ku do të thyejë kokën pushteti i krimit”, ka thënë Vasili, i cili ka kritikuar ashpër zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi ka provuar, ishin një ripërsëritje e zgjedhjeve të vitit ‘96, ishin një krim elektoral i strukturuar”, ka vijuar Vasili.

Në këto kushte, ai ka paralajmëruar se LSI ndodhet përballë një misioni historik, ai i bërjes së opozitës së vërtetë.

Në të njëjtat linja, nënkryetari Luan Rama ka nënvizuar se “Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe për alternativë të re, ndryshe nga ajo e arrogancës”.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts