Në 31 janar të këtij viti, përfaqësues të emergjencave civile të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, të shoqeruar edhe nga përfaqëesues të ambasadës Amerikane, vizituan repartin ushtarak të Rrencit, ku lançuan projektin e ngritjes së një qendre rajonale për emergjencat civile. Vlera e investimit do të kapte shifrën e 50 milion eurove dhe realizimi do të shtrihej në harkun kohor të 4 viteve. Por sot 6 muaj pas prezantimit të atij projekti realiteti në këtë godinë, pronë të ministrisë së mbrojtjes, vijon të jetë i njëjtë, madje duke degraduar edhe më shumë.
Muri rrethues është thyer, e po ashtu godinat po vijojnë të zhvishen nga tullat që mbajnë në këmbë muret. Degradimi i lartë që pas braktisjes së bërë nga ushtria, të këtij reparti, është një kosto shtesë për shtetin Shqiptar, i cili nuk është në gjendje të ruaje as objektet që ka në pronësi. 5 vite më parë në këto mjedise strehoheshin banoret e nenshkodres të prekur nga përmbytjet, ndërsa sot godinat janë tërësisht jashtë shërbimit, e ku territori rrezikon të zaptohet, siç ka ndodhur rendom me shume objekte shtetërore, ku më pas është dashur nisja e kalvarit të gjatë të gjyqeve. Qendra e emergjencave civile që është parashikuar të ndërtohet në këtë territor, është një projekt që synonte përfshirjen edhe të Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovines, për ta bërë të gjithë rajonin pjesë të nje rrjeti profesional që menaxhon fatkeqësitë e ndryshme natyrore, nga përmbytjet, tek zjarret apo termetet. Ngritja e saj në Shkoder u tha se është përzgjedhur si një territor mes këtyre dy shteteve, por që në të njëjtën kohë listohet edhe si më i godituri nga fenomeni i përmbytjeve. Qendra rajonale e emergjencave civile u prezantua si një risi për këto shtete të Ballkanit, por që deri më sot përveç shpalosjes, nuk shihet asnjë interesim tjetër konkret mbi atë që pa frikë do të ishte, një nga investimet më të mirëmenduara të viteve të fundit.