Kryeministri Edi Rama ka komentuar akuzat e Partisë Demokratike por edhe ish-të përndjekurve politikë lidhur me propozimin prej tij të Gramoz Ruçit për kryetar Kuvendi.
Rama tha se kjo është shprehje e boshllëkut të madh që PD ka dhe që duhet ta mbushë me vizion për të ardhmen.
Ndërsa për ish-të përndjekurit, Kryeministri tha se ata nuk kanë lidhje fare me spiunët e birucave që marrin përsipër të flasin në emër të tyre duke kënduar këngën e Saliut.
Rama: Të përndjekurit politikë nuk janë disa spiunë birucash që marrin përsipër të flasin për të përndjekurit politikë. Është një shtresë që ka shumë figura të respektuara, shumë njerëz të ndershëm që nuk kanë lidhje fare me këta zërat e obubushëm që sponsorizohen për të kënduar këngën e Saliut. Kush ndjehet i provokuar nga cilido qoftë, qoftë edhe Gramozi, në emër të përndjekurve dhe nuk është ndjerë i provokuar 27 vjet me Saliun në krye të PD për mua është thjesht një hipoktrit që nuk meriton asnjë respekt dhe asnjë mirënjohje. Vazhdimi i kësaj marrëzie dhe niveli të opozitës, PD në këtë rast, me komunizma dhe antikomunizma, komunistë dhe antikomunistë kur jemi në 2017 është vetëm shprehje e boshllëkut të madh që PD duhet ta mbushë me vizion për të ardhmen, program real për të qenë një alternativë me një skuadër të denjë për tu përballur me sfidat, edhe konkurentin në këtë rast që jemi ne. Përndyshe ky është një budallallëk i madh që nuk meriton asnjë vëmendje dhe asnjë shqetësim.