Thursday, March 28, 2024
HomesocialeKRYENGRITJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËS, 9 SHTATOR 1946 – NGA URAN BUTKA

KRYENGRITJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËS, 9 SHTATOR 1946 – NGA URAN BUTKA

-

  Kryengritja antikomuniste e Postribës në Rrethin e Shkodrës, me në krye malësorin Osman Haxhia, pjesëmarrës në Luftën e Koplikut 1920 dhe në rezistencën kundër pushtimit Italian në Shkodër, 1939. Më 9 shtator kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, për të liruar të burgosurit politikë. Revolta u shtyp me gjak nga ushtria, përveç reprezaljeve ndaj popullsisë së Postribës, djegieve të shtëpive, gjyqeve ushtarake, pushkatimeve, burgimeve dhe internimeve masive

HOMAZH PËR KRYENGRITJEN E POSTRIBËS (Uran Butka)

Kryengritja e Postribës e ka shpirtin, trupin e gjymtyrët pikërisht në trevën e Postribës dhe kokën në qytetin e Shkodrës, e cila u bë kryeqendra e rezistencës kundërkomuniste.
Pas shtypjes së përgjakshme të kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe, sidomos, pas manipulimit të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 nga komunistët dhe përpjekjes së tyre për të shuar çdo përpjekje për demokraci, pluralizëm politik, opozitë në parlament dhe jashtë tij, populli i Shkodrës dhe i krahinave të saj e vazhdoi qendresën kundër diktaturës komuniste, që po iu shkelte brutalisht nderin, liritë e të drejtat njerëzore, traditat e besimin fetar, po u rrëmbente pronat e pasuritë, po ua merrte edhe jetën.
Këto ishin shkaqet kryesore të shpërthimit të Kryengritjes së Postribës. I ka shprehur me dy fjalë prijësi i kryengritësve, Osman Haxhia: ““Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne. Na kanë prekë në jetë, në nder e në fe!”

Jup Abazi

Intelektualët e Shkodrës u angazhuan të punonin për krijimin e një rezistence aktive, e cila mund të paralizonte apo zbuste terrorin e dhunën, shpronësimin e tjetërsimin njerëzor, por edhe të përmbyste atë regjim policor .Në qytetin e Shkodrës u formua Grupi Intelektual në mesin e vitit 1945, më pas edhe grupime të tjera politike. Grupi Intelektual e nisi punën me disa intelektualë të njohur të Shkodrës, si Paulin Pali, Myzafer Pipa, Rakip Meta, Adem Bazhdari, Fahri Rusi, Jup Hoxha, Pjetër Koliqi e të tjerë, por që më vonë u zgjerua dhe mori formë të organizuar me Jup Kazazin, Abdulla Kazazin, Seit Kazazin, Pjetër Dedën, Cin Serreqin, Rasim Gjyrezin, Dulo Kalin, Sami Repishtin, Elez Troshanin, Gulielm Sumën, Caf Dragushën, Simon Doragjatin, Qazim Rroin, Nuh Oroshin, Murat Haxhian etj dhe nëpërmjet Gjergj Kokoshit dhe Riza Danit, deputetë në Kuvendin Popullor, kishin lidhje me alternativën opozitare të “Bashkimit Demokratik Shqiptar” dhe Grupin e Deputetëve demokratë në Parlament.
Sipas të dhënave dokumentare, Kazazët, kjo familje me tradita atdhetare dhe qytetare shkodrane, kishte influencë të madhe në Postribë, ishte pikë referimi e besimi për postribasit. Kishte të drejtë bajraktari i Postribës, Osman Haxhia, që kërkonte si prijës një përfaqësues nga familja Kazazi. Jup Kazazi, një nga eksponentet e Ballit Kombëtar ne Shkodër, bashkëvepronte jo vetëm me postribasit, por edhe me krerët antikomunistë të gjithe qarkut te Shkodrës, Lezhes, Pukes, Mirditës, Kukësit, Krujës etj. për një kryengritje të përgjithshme kunder regjimit.
Krerët e Lëvizjes kishin menduar që kryengritja të fillonte më 16 shtator. Mirëpo, qeveria që mbikëqyrte gjithçka nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe kishte dijeni për lëvizjen, më datë 10 shtator do të niste mobilizimin ushtarak. Kjo situatë e detyroi parinë e Postribës të kërkonte shpejtimin e fillimit të kryengritjes, me qëllim që të pengohej mobilizimi ushtarak, si dhe të mos dobësoheshin forcat kryengritëse, duke u marrë ushtarë më të rinjtë e tyre.
Krerët e Postribës: Osman Haxhia, Ymer Zeneli, Abaz Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rakipi, Ali Cani nga Boksi; Emin Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Hajdar Tafa, Mus Muhja dhe Ismail Duli nga Dragoçi; Abdulla Seiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Halil Dauti nga Kullaj; Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Metush Halili nga Drishti; Muho Dyl Osja, Ram Fari, Idriz Tahiri, Sadik Rama, Kasem Hyseni nga Muselimi, po ashtu pjesëmarrës nga Vorfa e Rrashi si dhe 150 kryengritës të Postribës u mblodhën dhe, pas një kuvendimi të gjatë të drejtuar nga Osman Haxhia, vendosën që sulmi të bëhej të nesërmen, në agim të 9 shtatorit, me pjesëmarrjen e të gjithë burrave të krahinës.
Në orën 2 të mëngjesit, në të gdhirë të datës 9 shtator 1946, filloi sulmi drejt qytetit të Shkodrës në tre drejtime: Nga Postriba në drejtim të kazermave, ku ishte komanda e Korpusit III; nga Guri i Zi në drejtim të postës së Urës së Kirit dhe drejtimi i tretë: mësymja drejt Kodrave të Tepes.
Nga Hoti i Ri, morën pjesë në përpjekje 25 kryengritës, të organizuar nga Pjetër Pali dhe Gjelosh Vata, Mustafa Jakupi e Pjetër Gjokë Luli.
Një grup kryengritësish, rreth 70-80 veta, me në krye Osman Haxhinë, arriti të depërtojë deri në lagjen Rus, në afërsi të “Dugajëve të reja”me dy objektiva: ne drejtim të kazermave te ushtrise per të marrë armë dhe në drejtim te burgut të prefekturës, për të liruar te burgosurit.. Atje u bë një përpjekje e ashpër me armë ndërmjet ushtrisë qeveritare tw komanduar nga aspiranti i sig te shtetit Shyqyri Rrjolli dhe kryengritësve postribas. Atje mbeti i vrarë kryengritësi Elez Bazi nga katundi Kullaj. Në tërheqje e sipër ra Nuz Salia nga Boksi dhe u vranë duke luftuar Amin Hyseni nga Boksi, Sahit Duli, Ymer Zeneli, Elez Dani nga Kullaj dhe ra me pushkë ne dorë Rasim Gjyrezi. Kryengritja u thye. Gjithsesi, organizimi linte për të dëshiruar, nuk kishte kishte një shtab drejtues, lajmërimet për ditën e nisjes së kryengritjes, që vinin nga burime të ndryshme, nuk arrinin në kohë në destinacion, ndërkohë që lëvizja mbeti lokale dhe pushteti, i cili kishte informacione, përpiqej ta paralizonte dhe ta dështonte kryengritjen ende pa filluar mirë dhe dërgoi atje forca te mëdha ushtarake.
Pasojat e shtypjes së përgjakshme të kryengritjes së 9 shtatorit 1946 kanë qenë tragjike. Politika armiqësore e PKSH, vendosja e regjimit ushtarak dhe ndëshkimi i pamëshirshëm ushtarak, duke përfshirë në të edhe njerëz të pafajshëm, kanë qenë të paligjshëm dhe të panevojshëm. Operacionet ushtarake ndëshkimore me ne krye Zoi Themelin dhe zbatoi metodat e “tokës së djegur”e të hakmarrjes primitive, të gjyqeve ushtarake, të pushkatimeve pa gjyq, të internimeve masive e te luftës se tmerrshme së klasave, vrau e shkatërroi jeten e atij brezi heronjsh, por edhe të brezave pas tyre dhe hapi plagë të reja të pashërueshme, jo vetëm në vitet e para të sundimit, por edhe për një gjysmë shekulli me radhë.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts