Sunday, January 29, 2023
HomePolitikëDebati për organet e vettingut, Manjani: Shumë zhurmë për hiçgjë

Debati për organet e vettingut, Manjani: Shumë zhurmë për hiçgjë

-

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani është pozicionuar kundër kërkesës së komisioneve të Vettingut për personel me 192 persona.

Sipas tij, kjo kërkesë është e papranueshme. Ai thekson se Kuvendi, pavarësisht problemeve të mëdha politike që ka, është krejt legjitim të refuzojë propozime të tilla absurde.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit

Shumë zhurmë për hiçgjë…
——-
Të zgjedhurit e Kuvendit që do bëjnë vetting-un e gjykatësve dhe Prokurorëve, kërkojnë një personel prej 192 personash.

Këshilltarë, sekretarë, personel administrativ, plot 192 persona që do ti shërbejnë 22 të zgjedhurve për të bërë vetting…

Shumë! Jashtë mase shumë e ekzagjeruar është kjo kërkesë e tyre!

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, pa llogaritur fare gjykatat e tjera, nuk i kanë e as i kanë patur asnjëherë këto salltanete…

E pra gjykatat kanë në dorë drejtpërdrejt liritë dhe të drejtat e njerëzve. Struktura e Vetting jo! Ajo ka në dorë vetëm dosjet e gjykatësve dhe Prokurorëve.

Sikur ky debat të ishte çelë për rritjen e personelit administrativ dhe ndihmës për gjykatat, pa asnjë hezitim do isha në favor të gjykatës!

Shumë vonesa në gjykim vijnë edhe për shkak të burimeve njerëzore të mangëta. Ndërkohë gjykimi brenda një afati të arsyeshëm është detyrim Kushtetues.

Por 192 vetë personel administrativ për 22 komisionere që do bëjnë vetting është e PA PRANUESHME!

Debati që mos miratimi i kësaj kërkese, “cënon pavarësinë” është i vonuar, por edhe i parakohshëm!

I vonuar sepse përzgjedhja e 22 anëtarëve u bë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Rilindjes. Asokohe Rilindja-PD-LSI ishin në “dakortësi”…

Madje Rilindja dhe PD ishin në dashuri, kur u futën në votim emra që u ftuan në konkurim nga Rilindja… Disa prej tyre nuk mund të zgjidheshin sepse ishin ne shkelje të ligjit, por PD dhe LSI heshtën. Pra në këtë kuptim debati për pavarësinë është i vonuar.

Ndërkohë, rregulli i mos paragjykimit të askujt kërkon që 22 komisionerëve i duhet dhënë koha të provojnë me vendime se sa të varur apo të pavarur do jenë. Pra duhet ti shohim në punë se sa të zotë janë.

Ndaj, debati për numrin e personelit është si hartim i bukur, por jashtë teme dhe jashtë kohe.

Kuvendi, pavarësisht problemeve të mëdha politike që ka, ështe krejt legjitim të refuzojë propozime të tilla absurde!

Aq më tepër që punën reale dhe voluminoze të vetting do ta bëjnë institucione të tjera si : ILDKP; DSIK; Agjensia e Pastrimit të Parave; SHISH dhe OMN.

Struktura e vetting thjesht do marrë në shqyrtim letrat që vijnë nga këto Institucione dhe formularët e vetë deklarimit.

Vettingu duhet të fillojë një orë e më parë. Vetëm pasi të fillojë do shohim çkemi bërë…

/Oranews.tv/

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,674FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts