- TIRANE- Ish- oficeri i policisë në Tiranë Dritan Xhindoli është arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi ishte në kërkim prej disa kohësh.
Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Brendshme ka nisur hetimet se pse është mbajtur i fshehtë urdhër arresti për arrestimin e oficerit për llogari të drejtësisë italiane.
39-vjecari ka mbajtur disa poste drejtuese në Policinë e Shtetit, konkretisht në vitin 2014-2015 ka qenë shef për Krimet e Rënda si dhe shef i sektorit për vrasjet në policinë e Tiranës. Ai ka dhënë dorëheqjen 2 ditë para arrestimit.
Shpallja e tij në kërkim, në formë zyrtare nga autoritetet italiane, është bërë më 9 qershor të vitit 2017. Në urdhrin e autoriteteve italiane, ai kishte emrin Artan Xhindoli dhe kjo solli një zvarritje të vendimit. Por krahasimi i gjurmëve të gishtave bëri që ai të identifikohej plotësisht, duke u provuar se Artan Xhindoli dhe Dritan Xhindoli ishin i njëjti person.
(d.d/BalkanWeb)