Sunday, January 19, 2025
HomeKulturëQaf-Shtama, një mrekulli dhe nje vend piktoresk.

Qaf-Shtama, një mrekulli dhe nje vend piktoresk.

-

Shumë njerëz, të huaj apo vendas, ngjiten çdo ditë për të vizituar kalanë e Krujës, rezidencën kryesore të Skënderbeut, ku ai përgatiste betejat e njëpasnjëshme kundër turqve, pazarin e njohur të këtij qyteti me prodhime të traditës të artizanëve shqiptarë dhe lagjet e reja interesante të qytetit të ndërtuara bukur në shpat të malit. Çdo pikë në Krujë shërben si belvedere nga ku kundrohet gjithë hapësira nga Qafë-Krraba, Petrela, kodrat e Pezës, qytetit Tiranës fushën dhe bregdetin nga kepi i Rodonit e deri në derdhjen e Bunës në Velipojë.

Kjo është pamja para, po pas malit të Krujës? Mjafton të marrësh rrugën në të djathtë të qytetit dhe të ngjitesh në qafë të malit dhe para të del një mrekulli tjetër, masivi pyjor i Qafë-Shtamës, ndoshta më interesanti dhe më pak i eksploruari dhe i publikuari për turizmin shqiptar. Një pasuri turistike “pas derës”, që Kruja e ka me minuta dhe Tirana jo më shumë se një orë larg.

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës, një vend piktoresk, ku teksa ndjen erën e pishave, ahut e dëllinjave, të thuash se është një mrekulli, duket pak. Me një sipërfaqe prej 2000 hektarësh dhe vendndodhje  në verilindje të qytetit të Krujës, ai mbetet një perlë malore, kaq pranë kryeqytetit. Duke konsideruar se turizmi malor është prioritet i qeverisë dhe një burim i mirë fitimi ekonomik, kjo bukuri natyrore pak shfrytëzohet edhe për shkak të infrastrukturës rrugore.

Në një ditë nga Tirana në Qafë-Shtamë mund të udhëtosh; të shohësh dhe prekesh nga afër monumente te natyrës, të ndjesh aromën e luleve, te freskohesh me ujin e ftohte te malit, te thithesh ajrin e pastër te pyllit, te dëgjosh cicërimat e zogjve, etj. Një udhëtim i këndshëm, mbërritja ne Parkun Kombëtar të Qafështamës, lëvizjet ne park dhe një drekim ne mjediset e bujtinat karakteristike që presin vizitor të jep kënaqësi të veçantë, të lë mbresa për t’u kthyer këtu sa me shpesh.

Ndër vite, një zonë e harruar, tashmë banorët e saj jetojnë me shpresën e realizimit të rikonstruksionit të rrugës automobilistike dhe hapjes së perspektivës për t’u lidhur me pjesën tjetër të vendit, siç është Kruja dhe Burreli. Kjo është një zonë që merret kryesisht me blegtori dhe me bujqësi, por që prodhimet e tyre mbeten pa treg për shkak se nuk kanë mundësi komunikimi me zonat e gjera të konsumit. Ky është i vetmi burim ekonomik i kësaj zone, por një tjetër burim i rëndësishëm është edhe turizmi natyror. Pyjet, ajri i pastër, ushqimi i freskët dhe tradicional e mbi të gjitha, uji i pijshëm  i kësaj treve, janë të veçantë.

Parku ka filluar të ruhet e të mirëmbahet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe nuk është prekur nga keqbërësit dhe pemët nuk janë dëmtuar. Një ndihmë të madhe mësohet se kanë dhënë edhe banorët e zonës, të cilët e ruajnë me fanatizëm parkun.

Edhe pse rruga për të shkuar në Qaf-Shtamë është e vështirë dhe kërkon mjet të fortë, përsëri kjo zonë po tërheq për herë e më shumë vizitorë. Hoteleria turistike është e tipit alpin dhe për bujtësit ka filluar në masë të përdoren bujtinat e banorëve vendas.

Natyra e bukur, ajri i pastër mbushur me oksigjenin që çlirojnë pishat e bëjnë këtë vend kurativ. Prej vitesh aty ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë një qendër kurative për të sëmurë me probleme të aparatit respirator, qendër që, me një vëmendje të veçantë nga qeveria, mund të ishte edhe më e madhe, edhe më funksionale.

Po kështu këtu është ngritur një kompleks modern i ambalazhimit dhe përpunimit të ujit që furnizon tregun në të gjithë Shqipërinë.

Qafa shërben si urë lidhëse midis zonës së Krujës dhe luginës së Matit në veri. Zona kufizohet me pellgun e Bovillës nga jugu i saj dhe është ekologjikisht e lidhur ngushtë me të. Gjithë zona dallohet për vlerat natyrore dhe pyjet e virgjër.

Parku Kombëtar i Qafë- Shtamës ndodhet jo larg Tiranës dhe aeroportit “Nënë Tereza”, nga ku vizitorët e huaj që mbërrijnë në vendin tonë dhe janë kuriozë të sodisin natyrën e bukur Shqipërisë. Qafë- Shtama është destinacioni më i afërt, ku ata mund të gjejnë të ndërthurur natyrën me historinë. Mjedisi pyjor kompleks me tërë kënaqësinë që të ofron, uji i freskët e kurativ i burimeve, pamjet e peizazheve, shërbimi hotelier, ushqimet bio dhe gatimet tradicionale te zonës, janë faktorë kryesor për një turizëm jo vetëm ditor por dhe më gjatë. E vizitoni Qafështamën, do mbeteni te kënaqur, sigurisht do largoheni me ndjesinë që të riktheheni shpesh atje.

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës ndodhet 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Në perëndim kufizohet me fshatin Nuojë dhe në veri me fshatin Shkretë. Përshkohet nga dy rrugë automobilistike kryesore: Nuojë – Shkretë dhe Nuojë – Bruz, të cilat e lidhin edhe me qytetet Krujë e Burrel. Si njësi territoriale, bën pjesë në bashkinë e re të Krujës. Ai ka një sipërfaqe prej 2.000 hektarësh. Për të mbërritur në park, rruga hyn në kanionin e ngushtë të Vajës, i cili është 600 – 700 metra i thellë, poshtë të cilit rrjedh lumi i Drojës. Sipas një legjende, mbas pushtimit të Krujës nga turqit, në këtë vend 90 vajza krutane u hodhën në humnerë për të mos rënë në duart e tyre. Pozicioni gjeografik. Parku i Qafështamës ndodhet rreth 25 km, në verilindje të qytetit të Krujës. Në përgjithësi, pamja e këtij parku është rrethore e piktoreske. Terreni përbëhet nga shpate, kurrize, lugina e lëndina. Lartësia më e madhe është maja e Liqenit (1723 m) dhe maja Rjepa e Qetkolës (1680 m). Kuota më e ulët është maja e Fraveshit (791 m)

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts