Armando Sadiku beson se në dy takimet kundër Spanjës dhe Italisë kombëtarja nuk do të dalë pa pikë, pasi në sfida të tilla ne luajmë më mirë. Bomberi i cili aktivizohet me Legian është optimist edhe për faktin se po kalon një formë të shkëlqyer personale.
“Shanset? Janë ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe të bukura për gjithsecilin prej nesh, pasi janë kundërshtarë shumë të fortë. Tani jam në formën më të mirë dhe për këtë jam i gëzuar. Sigurisht që do të më pëlqente të isha në fushë në të dyja ndeshjet, por këtë e vendos trajneri dhe unë do të jem i gatshëm për zgjedhjet e tij. Do të jap më të mirën siç kam bërë gjithmonë.
Motivimi? Ne e kemi treguar veten gjithmonë me ekipe të mëdha. Të luajmë të bashkuar dhe të tria rezultatet janë të mundura. E kemi treguar veten që me ekipet e forta luajmë më mirë”, ka deklaruar Sadiku për “Top Channel”.