Sipas Prokurorisë së Elbasanit, ajo disponon materiale me të cilat akuzon për dhënie të informatave sekrete dhe sigurimi i informatave bazuar në dëshmitë që ukrainasi dhe dy shtetasit rus kanë dhënë në prokurori në lidhje me misionon e tyre të spiunazhit. Por nga ana tjetër, për arsye të sensitivitetit dhe shmangies së publikimit të tyre që do të dëmtonte hetimin, ende nuk ia ka vënë në dispozicion gjykatës.
3 shtetasit e huaj që u përfshinë në incidentin e ndodhur të dielën në uzinën e Gramshit sipas Prokurorisë së Elbasanit, kishin ardhur me mision. Organi i akuzës do të kërkojë në seancën e sotme caktimin e masës së sigurisë, arrest me burg ndaj rusëve Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe ukrainasit Fedir Alpatov, për 3 vepra penale. Në dosjen hetimore që Syri.Tv disponon, thuhet se këta shtetas ka dyshime të arsyeshme të jenë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse.
Sipas Prokurorisë së Elbasanit, një dyshim i tillë është krijuar nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit. Ajo vijon më tej me argumentin se ka baza të arsyeshme të dhënash që krijon dyshimin e bazuar në prova se këta shtetas, kanë ardhur në Shqipëri me mision. Madje shkohet më tej në dyshimet se janë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara, por nuk soecifikohet qëllimi i saktë dhe konkret.
Në dosjen hetimore theksohen gjithashtu duke i dhënë rëndësi faktit se në aparatet e tyre fotografike dhe celulare, janë gjetur pamje filmike të zonave dhe objekteve të sigurisë së lartë dhe kritike në vend. Për sa i përket dinamikës së ngjarjes, hetuesit kanë pyetur dy ushtarakët që mbeten edhe të lënduar, banorë të zonës si dhe një të afërm të njërit prej ushtarakëve që ka mbërritur ndër të parët në vendngjarje, ndërsa dëshmitë e tyre përputhen. 1 automjet “Chevrolet” me targa AX 6200 IF, 2 drone, sasi e konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, 1 Laptop, karta sim, hardisk; 1 (nje) copë fishek model 56, kaliber 7.62 mm, një predhe fisheku armë zjarri kalibër 12.7 mm, dokument udhëtimi dhe identifikimi, mjete kampingu, bombul e përdorur në formë spray neutralizues dhe 6 telefona celularë, janë provat materiale që ka sekuestruar grupi i hetimit në lidhje me këtë dosje. Seanca do të nisë në orën 11:00 dhe pritet të zgjasë. Seanca e sotme zhvillohet në limitet e afateve për caktimin e masave, ndërsa togat e zeza të Elbasanit pritet të dëgjojnë argumentat e prokurorisë dhe mbrojtjes së të pandehurve përpara se të marrë një vendim. Ndërkohë, sa i përket procesit gjyqësor në vijim, për veprat për të cilat akuzohen 3 shtetasit e huaj, parashikohet një dënim prej jo më pak se 2 vitesh nëse ato provohen.