Mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive, arrestohen 5 persona, mes tyre dhe një 70-vjeçar.
Shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, pronarë dhe operatorë të subjektit call center në të cilin kryhej kjo veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Devices”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
G. Q., 50 vjeç, B. H., 28 vjeç, A. M., 36 vjeç, S. L., 70 vjeç dhe F. C., 44 vjeç, të pestë banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e arrestuar ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.