Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia në aksin Bajzë-Hani i Hotit pasi në makinë iu gjetën 10 emigrantë që do ti kalonte në Malin e Zi.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 1 celular.
Me finalzimin e operacionit policor të koduar “Rrethrrotullimi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi J. K., 36 vjeç, banues në Durrës.
36-vjeçari u kap në aksin rrugor “Bajzë-Hani i Hotit”, pranë rrethrrotullimit të Hotit, teksa transportonte me një automjet tip “Mercedes Benz”, 10 emigrantë nga Bangladeshi, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, fillimisht në Mal të Zi, por me destinacion vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua automjeti, celulari i 36-vjeçarit dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga transportimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.