Gjykata e shkallës së parë në Shkoder e ka vlerësuar të paligjshëm ndalimin e drejtorit të tatimeve Hysen Hysaj, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë, atë të “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë Shqipërie”. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe për rreth 1 orë e 30 minuta palët kanë parashtruar përpara trupës gjykuese të kryesuar nga Luveda Dardha, pretendimet e tyre. Organi i akuzës i ka qëndruar akuzave të ngritura për kryetatimorin e Shkodres duke kërkuar ndaj tij vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë, atë të “arrestit me burg”. Ndërkohë avokati mbrojtës Ilir Golemi duke u bazuar në kërkesën e prokurorisë, hodhi poshtë pretendimet e kësaj të fundit dhe kërkoi vlerësimin e paligjshëm të ndalimit, duke mos caktuar asnjë masë sigurie ndaj klientit të tij, por lirimin e menjëhershëm. Sipas palës mbrojtëse akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë dhe veprimet lidhur me rastin në fjalë të favorizimit të biznesit për TVSH nuk kryhen nga vetë kreu i tatimeve, por nga organe të tjera që nuk varen prej tij. Numri një i tatimeve në Shkoder u vu në pranga në 13 qershor me urdhër të prokurorisë e cila e akuzon për shpërdorim detyre. Sipas organit të akuzës Hysen Hysaj kishte kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…” sh.p.k, me administrator nipin e tij. Palët lidhur me vendimin e shkallës së parë, kanë të drejtë ta ankimojnë brenda 10 ditësh në gjykatën e apelit dhe sipas avokatit mbrojtës të gjitha veprimet do të varen nga hapat që do të hedhë prokuroria.