24 orë pas plagosjet së Syri Mehmetaj, policia e Shkodres ka zbardhur ngjarjen dhe e ka shpallur në kërkim autorin, i cili rezulon shtetasi S.D 29 vjeç. Nga deklarimet e marra të dëshmitarëve të pranishëm në vendin e ngjarjes, rezulton se i dëmtuari në një lokal në afërsi të sheshit “Isa Boletini” Shkodër, është kontaktuar jashtë ambienteve më një shtetas. Aty ata kanë debatuar me njeri – tjetrin dhe më pas janë larguar, por pak minuta më vonë, vetëm disa metra më tutje, 44 vjeçari Mehmetaj është ruajtur nga autori dhe sapo ka dalë nga lokali ku ndodhej sëbashku me bashkëshorten, është qëlluar dy herë me silenciator. Autori i dyshuar është nisur me automjetin tip “Mercedez Benz” me targë AA 888 AT në drejtim të daljes së “Xhabijes” ku dhe më pas ka qëlluar në drejtim të shtetasit Mehmetaj. i cili po lëvizte me automjetin tip “Benz” me targë AA 031 NL, ku nga kqyrja e mjetit janë evidentuar dëmtime të shkaktuara me armë zjarri në xhamin e parë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital nga e bashkëshortja, ndërsa pamjet filmike të siguruara nga bizneset përreth ndihmuan policinë në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e skemës së ngjarjes. Si provë materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur 2 gëzhoja model 54, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë 44 vjeçari Mehmetaj pas operacionit që zgjati rreth 6 orë, mësohet se ndodhet jashtë rreziku për jetën në reanimacionin e spitalit të Shkodres. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.