Shërbimet e Policisë Kufitare të Shkodrës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 3 personave në pikëkalimin e Muriqanit, të cilët u kapën me 20 kg marijuanë. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me specialistët e hetimit kundër lëndëve narkotike, teksa iu vunë prangat shtetasve Edmond Mulgeci, 57 vjeç nga Tirana, si dhe Dugagjin Lyta dhe Ekrem Burovci, që të dy nga Kosova dhe respektivisht 48 vjeç e 34 vjeç. Gjatë ushtrimit të kontrollit ndaj autobusit të linjës Kosovë-Gjermani, me targa 07 183 CE, i cili drejtohej nga Ekrem Burovci, kishte shofer të dytë Dugagjin Lytën dhe menaxher Edmond Mulgecin, janë gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Pasagjerëve të autobusit u është kërkuar të zbresin secili me çantat e tyre, ndërkohë që u gjetën dy çanta pa pronar, brenda të cilave ishte fshehur lënda narkotike. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, teksa të arrestuarit akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit u godit një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta. Në pranga ra Alban Bushati, 29 vjeç, banues në Shkodër. Gjatë kontrrollit të ushtruar në lagjen “Tom Kola”, i’u gjet e u bllokua në cilësinë e provës materiale një sasi pluhur e dyshuar si ajo e lëndës narkotike heroinë, të vendosur në 5 qese plastike me peshë totale 1.8 gr. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Pordhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.