Zgjodhën 27 vjetorin e përkujtimit të demostratës së 14 janarit 1990, që një pjesë e protagonistëve të saj ta kujtonin ndryshe. Pa një aktivitet mirëfilltazi të organizuar për këtë datë, ashtu siç ka ndodhur çdo vit, por me zemer e mendje të bashkuar ashtu si atëherë kur kishin vendosur të rrëzonin bustin e Stalinit që ngrihej në qender të Shkodres. Janë të shumta arsyet e zhgënjimit të tyre, por kujtimet e asaj date dhe ngjarjeve që rodhën atë ditë i kanë të freskëta.
14 janari i vitit 1990, me mijera banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qëndër të qytetit dhe për disa orë me rradhë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti. Ajo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysëm shekulli të sundimit të regjimit të Enver Hoxhës, bëri bujë të madhe brenda e jashtë vëndit duke u komentuar edhe nga shumë stacione të huaja televizive nga më prestigjozët. Po kushtu ajo demostratë e 14 janarit të vitit 1990, tundi nga themelet udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Ramiz Alinë, i cili ia faturoi atë shërbimeve të huaja dhe kryesisht UDB jugosllave.