Luajti 82 minuta dhe nuk është se shkëlqeu si në kohët e tij më të mira, por gjithësesi prania e tij në fushën e lojës tërhoqi vemendjen e opinionit publik dhe sidomos tifozërisë shkodrane, e cilat në momentin e ndërrimit e duartrokiti, moment të cilin vete Bakaj e priti me emocione.
Megjithatë, përpos vlerave si futbollist, ajo që pritej me interes nga opinioni sportiv kishte të bënte me përfshirjen e polemikave, që Bakaj falë karakteristikave të tij si futbollist shpesh herë i pasqyron me kundërshtarët në fushën e lojës. Në një farë mënyre, ish futbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, Edi Martini kishte lëshuar një tip paralajmërimi që Bakaj nuk luan më shumë se 3-4 ndeshje me Vllazninë nga kartonat e kuq që mund të marrë. Dhe, e verdha e parë erdhi që në ballafaqimin e parë me durrsakët.
Duke lënë pas ndeshjen e kupës ku ka besim se Vllaznia me 70 përqind të mundësive është e kualifikuar në gjysëmfinale, Bakaj flet edhe për ndeshjen e fundjavës me Partizanin për kampionat.
Nga informacionet më të fundit marrë nga institucioni i FSHF-së, mësohet se ndeshja Partizani-Vllaznia luhet diten e diele në ora 17.00 në stadiumin “Selman Stermasi të kryeqytetit. Kjo është ndeshja e parë që Partizani zhvillon në këtë stadium si pritës pas marrëveshjes së bërë mes klubeve Tirana dhe Partizani me dakortësinë edhe të Bashkisë së Tiranës.