Kane lene pas ndeshjen me Partizanin dhe kuqeblutë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e fundjavës. Përballë do të jetë skuadra vlonjate Flamurtari, ndeshje që do të luhet te shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” dhe që për Vllazninë ka një rëndësi të dorës së parë. Si zakonisht, seances së parë stervitore të javës të zhvilluar këtë të martë në stadiumin “Reshit Rusi” i ka paraprirë një analizë e shkurtër teknike për takimin e luajtur mbrëmjen e së dieles në stadiumin “Selan Stermasi”. Më pas, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu janë përfshirë në zbatimin e programit stervitor në përgatitje të ndeshjes së fundjavës. Për t’u theksuar është fakti se formacionit të kuqebluve do t’i mungojë njëri prej titullarëve të rëndësishëm, mesfushori Florind Bardulla, pasi kartoni i verdhë i nxjerrë nga gjyqtari Enea Jorgji në dëm të tij të dielen e kaluar ndaj Partizanit është i treti për të, çka e skualifikon për ndeshjen e ardhshme. Përpos Bardullës, që mban rekordin e ngarkimit me kartonë në këtë kampionat me nëntë të tillë, dy mungesa të tjera të sigurta janë edhe të mbrojtësit të qëndrës, malazezit Stefan Cicmil si dhe mesfushorit Ambroz Kapaklia të dëmtuar. Në infermieri për momentin janë edhe dy mesfushorët e tjerë, Çinari dhe Kruja, por me terapinë intensive nga ana e stafi mjekësor, pritet që t’i bashkohen skuadrës. Përballja e kësaj jave me Flamurtarin e cila luhet në kuadrin e javës së 21-të të Superliges së futbollit shqiptar është nga më të rëndësishmet për Vllazninë pasi ajo do të ndeshet me një kundërshtar direkt në luftën për mbijetese. Kjo dallohet qartë edhe nga pozitat që mbajnë skuadrat në tabelen e klasifikimit ku pas javës së 20-të, Vllaznia renditet e gjashta me 21 pikë, ndërkohë që fare pranë, me vetem një pikë më pak ka Flamurtarin dhe Laçin dhe në vendin e parafundit është Teuta e Durrësit me 19 pikë, dy më pak se kuqeblutë e Vllaznisë.