Policia e Shkodres ka dokumentuar plagosjen e ndodhur pasdreken e së hënës në vendin e quajtur “Breg Lumi” njësia administrative Shalë ku mbeti i plagosur me armë të ftohtë thikë 19 vjeçari A. Nengagu. Tre persona u arrestuan, njeri prej 14 vjeçari P.L qe rezulton autor i ngjarjes dhe Pjetër Nengagu 54 vjeç e Dritan Marapishta 47 vjeç te cilet akuzohen për veprën penale moskallëzim të krimit. Gjithçka ka nisur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta mes dy të rinjve, në oborrin e shkollës “Breg Lumi” të Shalës. Fillimisht ata kanë debatuar me njeri – tjetrin ku sipas burimeve policore mësohet se nuk kanë munguar edhe fyerjet. Në një moment, 14 vjeçari me inicialet P.L i dyshuar autor i kësaj ngjajrje, ka marrë thikën duke e goditur 19 vjeçarin në anën e majtë të trupit. Menjëherë kanë ndërhyrë banorët e zonës duke bërë nisjen për në spitalin rajonal të Shkodres të të plagosurit, i cili pas ndërhyrjes së bluzave të bardha ndodhet jashtë rreziku për jetën. Grupi hetimor nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve arriti në përfundim se dy prej tyre kanë tentuar fshehjen e saj dhe për pasojë i arrestoi. Ndaj 14 vjeçarit rëndon akuza “Plagosje e Rëndë me Dashje” dhe materialet i kanë kaluar për veprime të metejshme prokurorisë së Shkodres.