Sunday, May 19, 2024
HomeSportFutboll femra,Shqipëri-Mali Zi 5-3

Futboll femra,Shqipëri-Mali Zi 5-3

-

Ndeshja miqësore ndërkombëtare e futbollit për femra në mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, krahas të tjerave ka përballur edhe vetë pankinat përkatëse. Në një farë mënyre ka pasur edhe një garë mes mësuesit dhe nxënësit dhe konkretisht në mes trajnerit malazez, Dervish Haxhiosmanoviç që jo shumë larg ka qënë trajner i Vllaznisë dhe trajnerit të kombëtares së Shqipërisë, Armir Grima, i cili si portjer dhe kapiten i kuqebluve ka pasur si trajner Haxhiosmanoviçin. Dhe, ka ndodhur ajo që në shumë raste, nxënësi ka triumfuar ndaj mësuesit. Që do të thotë se Shqipëria ka triumfuar ndaj kombëtares së Malit të Zi duke e mundur atë me rezultatin 5 me 3. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena” është shoqëruar me emocione edhe për faktin se fillimisht kanë qënë futbollistet malazeze që kanë kaluar në avantazh të dy gola të shënuar që në minutën e 3-të, me anë të Kuçit, e duke dyfishuar shifrat me anë të Bojatit, 17 minuta më pas. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Malit të Zi me rezultain 0 me 2, por, në pjesën e dytë, vajzat kuqezi do të përmbysin gjithçka. Fillimisht është futbollistja e Vllaznisë, Suada Jashari në minutën e 53-të dhe Hashani 5 minuta më pas që shënojnë duke barazuar rezultatin në 2-2. Skuadra mike nga Mali i Zi vazhdon të luajë në sulm dhe si rezultat i presionit në portën kuqezi vjen goli i tretë i avantazhit të tyre me autore Bojatin në minutën e 80-të që është edhe goli i dytë personal për të në këtë ndeshje. Megjithatë, vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri, Armir Grima, do të shpërthejnë në 10 minutat e fundit, ku duke përfituar nga dy goditje të lira dhe një goditje këndi gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Luçie Gjinit, pjesë e Vllaznisë në kampionatin shqiptar dhe Memedov duke përmbysur shifrat me dy gola të realizuar brenda një minute në 4 me 3 për Shqipërinë. Ndërsa për të vulosur përfundimisht fitoren e merituar të Shqipërisë me rezultatin 5-3 mendon përsëri një futbolliste e Vllaznisë, Ardiola Bajraktari që shënon në minutën e 2-të kohës shtesë. Ndeshja e dytë miqësore e kombëtares së Shqipërisë  do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, diten e premte në orën 12.00 duke pasur përsëri përballë kombëtaren e Malit të Zi.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts