Qendra e Monitorimit Europian për Drogat dhe varësinë nga Drogat (EMCDDA) në vijim të publikimit të raportit të saj vjetor, ka dhënë informacion të detajuar lidhur me ndryshimin e tregut të barit të kanabisit në Europë. Sipas hartës së publikuar nga EMCDDA, Shqipëria është nyje e trafikimit të kanabisit nga Afganistani, me destinacion Holandën dhe më pas Britaninë e Madhe.
Tregu evropian për hashashin është aktualisht një nga më të mëdhatë dhe më fitimprurësit në botë, thekson raporti. Rreth 647 ton bar kanabisi dhe 641 ton hashash u konsumuan në Bashkimin Evropian në vitin 2013 dhe tregu i shitjes me pakicë ka një vlerë të përgjithshme të vlerësuar në mënyrë konservative në rreth 9.3 miliard euro në vitin 2013. Analiza e EMCDDA përshkruan se si po ndryshon furnizimi i kanabisit në Evropë, në përgjigje të konkurrencës dhe zhvillimeve të tjera të tregut.
Ndërsa përdorimi i hashashit në shkallë të vogël ka ekzistuar prej kohësh në Evropë, tregu i madh për drogat filloi të zhvillohej vetëm gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, i furnizuar fillimisht nga Pakistani dhe Afganistani me më vonë nga Libani. Kur furnizimet e Evropës u ndërprenë nga konfliktet në Liban (1975-91) dhe Afganistan (1979-89), u shënua një rritje e prodhimit të hashashit në shkallë të gjerë në Marok. Deri në fillim të viteve 1990, kanabisi maroken me cilësi të dobët (250 g) arriti pothuajse monopol mbi produktet e kanabisit në tregun evropian perëndimor.
Konsumi vjetor i kanabisit në Europë llogaritet në rreth 1200 tonë për vitin 2015.
Raporti thekson se grupet kriminale marokene janë lojtarë kryesorë në ofrimin e barit të kanabisit në Evropë, nganjëherë në partneritet me organizatat kriminale evropiane, për shembull ato holandeze dhe shqiptare.
Grupet kriminale shqiptare raportohen të jenë përfshirë në tregtinë e kanabisit afgan, kryesisht në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe, nëpërmjet Holandës në Mbretërinë e Bashkuar, thekson raporti. Megjithatë, duket se Britania e Madhe gjithashtu merr hashashin afgan direkt nga Azia jug-perëndimore.
Më herët në qershor, EMCDDA publikoi raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, ku theksonte se ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017. /Monitor/