Një reklamë e Universitetit Europian të Tiranës me thirrjen “Mos harxho kohë në shtet”, shkaktoi reagime të shumta derisa AMA vendosi të bllokojë reklamën, por Henri Çili, nuk tërhiqet, madje pretendon se është universiteti i tij ai që diskriminohet nga shteti.
Në një intervistë në studion e ‘News24”, Çili ka thënë se shprehja në reklamën e UET, është plotësisht e vërtetë pasi cilësia e universitetit shtetëror është më e dobët se privati.
Sipas Çilit është universiteti privat ai që diskriminohet pasi konkurrenca me privatin është e pandershme.
“Po të shkosh sot në një universitet shtetëror është të harxhosh kohën kot, me cilësinë që ka sot.
Sektori shtetëror përfaqëson një cilësi më të ulët se sektori privat, kjo është e vërtetë. Është një qëndrim që ka të bëjë me lirinë e konkurrencës. E kundërta është e vërtetë, sektori shtetëror bën një konkurrencë të pandershme ndaj sektorit privat. Ka ndërtesa që nuk paguan, nuk paguan taksa. Është një sistem arkaik i mbetur nga diktatura.
Ne duam që sektori të funksionojë me një kupë, me një masë, pa konkurencë të pandershme.
Sektori privat ka gati 15 vjet. Universiteti më i vjetër shqiptar është i 1957-ës të tjerët janë hapur pas ’90. Nuk është ndonjë gjë e madhe.
Sot universiteti privat është tërësisht i diskriminuar. Në arsimin e lartë sot kemi një kuadër ligjor ku gjithë buxheti publik nga taksat tona financon 100% vetëm shtetërorin. Kjo është pabarazia absolute, universiteti shtetëror është i gjithi i pa akredituar, kanë ndodhur disa akreditime me një agjenci angleze, ndërkohë që ne akreditohemi.
Sot kemi një pabarazi të plotë në ligj, një diskriminim. Universiteti shtetëror është sot një regres, ne duhet ta fusim në kapitalizëm, në treg.”