Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin u pezulluan menjëherë nga detyra pas publikimit të një videoje në medie ku shihen duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme vlera monetare, gjatë ndalimit të automjeteve
Drejtori Vendore E Policisë Lezhë sqaron se menjëherë pas publikimit të videos është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin, Komisariati i Policisë Lezhë.
Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën.